Joshua Zirkzee mund të largohet nga Manchester United gjatë ditëve të fundit të afatit kalimtar të verës, pasi sulmuesi holandez nuk po gjen hapësirën e dëshiruar në formacionin e “Djajve të Kuq”.
25-vjeçari, i cili mbërriti në “Old Trafford” me pritshmëri të mëdha, deri tani nuk ka arritur të sigurojë një rol të rëndësishëm në skuadër.
Për këtë arsye, si lojtari ashtu edhe klubi po e shohin si të mundshme një ndryshim ambienti para mbylljes së afatit kalimtar.
Sipas raportimeve të The Sun, Manchester United i ka vendosur Zirkzees një çmim prej 47 milionë eurosh, shifër që duhet të paguhet nga klubet e interesuara për të siguruar shërbimet e tij.
Interi dhe Juventusi në garë për Zirkzeen
Sulmuesi holandez është në radarët e disa klubeve, veçanërisht në Itali. Interi e sheh atë si një alternativë për repartin ofensiv, ndërsa Juventusi vazhdon ta mbajë në listën e dëshirave.
Megjithatë, Juventusi tashmë e di se për të transferuar Zirkzeen duhet të bëjë një investim të konsiderueshëm, pasi Manchester United nuk pritet të pranojë një ofertë nën vlerën prej 47 milionë eurosh.
Përveç dy gjigantëve italianë, interesim për sulmuesin holandez kanë shfaqur edhe Napoli dhe Aston Villa.
Kështu, Zirkzee nuk mungon në opsione për të ardhmen e tij, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ndonjëra prej skuadrave të interesuara do të jetë e gatshme të paguajë shumën e kërkuar nga Manchester United. /Telegrafi/
