Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se gjatë pjesës së parë të vitit 2026 ka realizuar mbi 3,000 inspektime në kuadër të mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
Sipas MINTI-t, kontrollet janë zhvilluar në fusha të ndryshme, përfshirë tregun e derivateve të naftës, sigurinë e produkteve, mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Po ashtu, janë kryer mbi 250 inspektime për verifikimin e përmbushjes së kushteve minimale teknike nga operatorët ekonomikë.
Gjatë kësaj periudhe, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka trajtuar edhe mbi 600 ankesa të konsumatorëve.
MINTI ka bërë të ditur se gjatë aksioneve janë bashkëpunuar edhe me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Rreth 600 mijë euro gjoba
Sipas ministrisë, kontrollet kanë rezultuar edhe me rritje të masave ndëshkuese.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit janë shqiptuar afërsisht 600 mijë euro gjoba, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i gjobave është rritur për 33.33 për qind.
Shkeljet për të cilat janë shqiptuar gjoba përfshijnë mospërputhjen e çmimeve raft–arkë, tregtimin e produkteve pa deklaracion, ushtrimin e veprimtarisë pa regjistrim në ARBK, përdorimin e mjeteve matëse me afat të skaduar të vlefshmërisë dhe tregtimin e produkteve me afat të skaduar.
Gjoba janë shqiptuar edhe për vendosjen në treg të produkteve që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
MINTI ka njoftuar se inspektimet e veçanta kanë përfshirë edhe çmimet e derivateve, njehsorët elektrikë, kriptovalutat, qendrat e masazhit dhe lokalet e natës, produktet e qumështit, shitjen e cigareve elektronike pranë shkollave fillore, si dhe parkingjet private të paregjistruara.
Ndërkohë, ministria ka bërë të ditur se ka përfunduar faza e parë e transferimit të inspektorëve lokalë të tregut në Inspektoratin Qendror. Synimi është që deri në fund të vitit numri i inspektorëve të tregut të arrijë në 100.
Për adresimin e ankesave të qytetarëve, MINTI ka lansuar edhe një platformë në Viber, ndërsa është funksionalizuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Sipas ministrisë, deri në korrik janë mbajtur katër takime të këtij këshilli, ku janë trajtuar çështjet dhe problemet kryesore me të cilat përballen konsumatorët në Kosovë. /Telegrafi/
