Përfaqësues të ndërmarrjes publike “Trainkos” kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi, në kuadër të procesit për riparimin e vagonëve të trenit. Kështu së paku pretendohet nga zyrtyari i AAK-së Daut Haradinaj, i cili ka publikuar edhe dokumentin.
Rasti është bërë temë debati publik pasi ndaj një punëtori të Trainkos-it janë marrë masa disiplinore nga ndërmarrja, pasi që ai kishte deklaruar publikisht në rrjete sociale se vagonët ishin dërguar për riparim në Serbi.
Në dokumentin e publikuar nga zyrtari i Aleancës, Daut Haradinaj, Komisioni për Pranimin e Projektit “Riparim i Mesëm i Vagonëve” njofton drejtuesit e ndërmarrjes për udhëtimin e përfaqësuesve të Trainkos-it drejt Serbisë.
Publikimi i dokumentit ka nxitur reagime nga përfaqësues të subjekteve të ish-opozitës.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar vendimin për dërgimin e vagonëve për riparim në Serbi, duke e lidhur atë me situatën e krijuar pas sulmit në Banjskë.
“I japin kontratë Serbisë. Shkojnë në Serbi për renovim të vagonëve. Krejt kjo në vitin 2024, pra veç pak muaj pas sulmit paramilitar në Banjskë. Paratë e popullit të Kosovës i çuan në Serbi!”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka kritikuar gjithashtu masat e ndërmarra ndaj punëtorit që e kishte bërë publike çështjen.
“Kur një punëtor i brendshëm e thotë këtë publikisht, në vend që të shkarkohet ministrja, e heqin prej pune punëtorin! Tash shkarkimi është pak!”, ka deklaruar ai.
Reagim ka pasur edhe nga deputetja e LDK-së, Janina Ymeri.
Ajo ka ngritur pikëpyetje lidhur me riparimin e vagonëve në Serbi dhe transportin e mallrave me tren gjatë vitit 2025.
“Riparim të vagonëve në Serbi paska pas në fundvit të 2024, po pse në 2025 nuk ka pas transport të mallrave me vagonë treni?! Kjo nuk ka ndodh më herët, të paktën brenda 10 viteve”, ka shkruar Ymeri./Telegrafi/
