Prokuroria Themelore në Pejë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, përkatësisht Ekipin për Hetimin e Autokrimeve, ka sekuestruar automjetin e markës “BMW X6”, për të cilin autoritetet gjermane kishin lëshuar kërkesë për kërkim ndërkombëtar.
“Operacioni është zhvilluar pas pranimit të informatave nga autoritetet kompetente gjermane, përmes zyrës së ILECU-së, se automjeti ishte në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të procedurës penale të iniciuar ndaj shtetasit kosovar Sh.Q. në Republikën Federale të Gjermanisë, për veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më datë 07.08.2026, pas lokalizimit të automjetit, është realizuar sekuestrimi i tij, ndërsa Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të automjetit.
Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale, më datë 14.08.2026, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për kthimin e automjetit te pronari i tij, shtetasi gjerman R.D./Telegrafi/
