Nga klauzolat e paqarta dhe penalitetet e pafavorshme te afatet, pagesat dhe të drejtat e palëve: çfarë duhet të kontrolloni me kujdes para se të vendosni nënshkrimin në një kontratë
Ardita Morina,
Avokate
Në Republikën e Kosovës, kontrata lidhen çdo ditë në fusha të ndryshme: në marrëdhëniet e punës, blerjen ose shitjen e pronës, marrjen me qira të banesës, kreditë bankare, bashkëpunimet afariste dhe shumë marrëdhënie të tjera juridike.
Në shumicën e rasteve, kontratat nënshkruhen me besimin se gjithçka është në rregull. Megjithatë, një nënshkrim i vendosur pa e lexuar dhe pa e kuptuar përmbajtjen e dokumentit mund të sjellë pasoja serioze juridike dhe financiare.
Ligji Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve përcakton parimet dhe rregullat themelore të marrëdhënieve të detyrimeve. Palët janë të barabarta si pjesëmarrës dhe, gjatë krijimit dhe përmbushjes së detyrimeve, duhet t’i përmbahen parimit të ndërgjegjshmërisë dhe ndershmërisë.
Cilat janë shenjat paralajmëruese?
Një kontratë duhet të lexohet me kujdes të veçantë kur përmban formulime të paqarta ose të vështira për t’u kuptuar; kur të drejtat dhe detyrimet janë dukshëm të pabalancuara; kur mungojnë afatet për përmbushjen e detyrimeve; ose kur nuk është e qartë se çfarë ndodh nëse njëra palë nuk e respekton marrëveshjen.
Vëmendje duhet t’u kushtohet sidomos klauzolave që parashikojnë penalitete shumë të larta, i japin vetëm njërës palë të drejtën për ta ndërprerë kontratën, lejojnë ndryshimin e njëanshëm të çmimit ose të kushteve, parashikojnë vazhdimin automatik të kontratës ose kufizojnë të drejtën e palës tjetër për të kërkuar mbrojtje juridike.
Në kontratat ndërmjet një konsumatori dhe një shitësi ose furnizuesi, Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit parashikon mbrojtje të posaçme nga kushtet e padrejta. Kushtet e shkruara duhet të jenë të thjeshta dhe të kuptueshme, ndërsa në rast dyshimi për interpretimin e një kushti, mbizotëron interpretimi më i favorshëm për konsumatorin.
Shembull praktik: Kur një detaj i anashkaluar mund të kushtojë shtrenjtë
Imagjinoni se po nënshkruani një kontratë qiraje për banesën tuaj të re. Çmimi mujor duket në rregull, por në fund të kontratës një klauzolë, të cilës nuk i keni kushtuar vëmendje, përcakton se “në rast të ndërprerjes së parakohshme nga qiramarrësi, mbahet e gjithë depozita dhe paguhet dëmshpërblim shtesë”. Një kusht i tillë, i pranuar pa u shqyrtuar me kujdes, mund t’ju shkaktojë shpenzime të papritura nëse rrethanat tuaja ndryshojnë.
Çfarë duhet të kontrolloni para nënshkrimit?
Në një kontratë të shkruar kontrolloni:
▪ të dhënat dhe identitetin e saktë të palëve;
▪ objektin e kontratës dhe detyrimet konkrete të secilës palë;
▪ çmimin, mënyrën dhe afatet e pagesës;
▪ afatet për përmbushjen e detyrimeve;
▪ kamatat, penalitetet dhe shpenzimet shtesë;
▪ kushtet për ndërprerjen ose zgjidhjen e kontratës;
▪ mundësinë e ndryshimit të çmimit ose kushteve;
▪ rinovimin automatik dhe afatin për anulimin e tij;
▪ mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve;
▪ çdo aneks, rregullore ose dokument tjetër të cilit kontrata i referohet;
▪ datën, nënshkrimet dhe plotësinë e të gjitha faqeve.
Duhet pasur parasysh se jo çdo kontratë, për të qenë e vlefshme, duhet domosdoshmërisht të lidhet me shkrim. Ligji parashikon si rregull joformalitetin e kontratës, përveç rasteve kur kërkohet formë e posaçme. Për shembull, kontrata në bazë të së cilës transferohet titulli i një paluajtshmërie ose krijohet një e drejtë tjetër subjektive mbi paluajtshmërinë duhet të lidhet në formë të shkruar.
Mos nënshkruani nën presion
Një nga gabimet më të zakonshme është nënshkrimi me nxitim, me arsyetimin se bëhet fjalë për një dokument “standard” që nuk ka nevojë të lexohet.
Kërkoni kohë për ta lexuar dokumentin dhe sqarim për çdo fjali që nuk e kuptoni. Mos nënshkruani dokumente me hapësira të zbrazëta dhe mos pranoni që ndonjë pjesë të plotësohet pasi ta keni nënshkruar.
Mos u mjaftoni as me premtime gojore nëse kontrata e shkruar thotë diçka tjetër. Çdo ndryshim për të cilin jeni marrë vesh duhet, kur është e nevojshme, të pasqyrohet qartë në dokument.
Mashtrimi, kanosja dhe lajthimi
Jo çdo problem me një kontratë ka të njëjtën pasojë juridike. Ligji bën dallim ndërmjet kontratave të pavlefshme (nule) dhe kontratave që mund të anulohen. Një kontratë që bie ndesh me rendin publik, dispozitat urdhëruese ose moralin e shoqërisë mund të konsiderohet e pavlefshme, ndërsa të metat e vullnetit, si kanosja, mashtrimi ose lajthimi, në kushtet e përcaktuara me ligj, mund të jenë bazë për kërkimin e anulimit të kontratës.
Para nënshkrimit, një kontroll mund t’ju kursejë shumë probleme
Lexojeni kontratën nga fillimi deri në fund. Mos u përqendroni vetëm te çmimi apo përfitimi që ju premtohet, por edhe te detyrimet, penalitetet, afatet dhe mënyra se si mund të dilni nga kontrata.
Kërkoni gjithmonë një kopje të dokumentit të nënshkruar. Është e dobishme të ruani edhe një kopje digjitale të skanuar, në email ose në një hapësirë të sigurt ruajtjeje në internet. Ruajini gjithashtu anekset, faturat, dëshmitë e pagesave dhe komunikimet që lidhen me kontratën.
Nëse bëhet fjalë për blerje prone, kredi, dorëzani, investim, kontratë afariste me vlerë të madhe ose një marrëveshje që mund të ketë pasoja serioze financiare dhe juridike, është e këshillueshme që para nënshkrimit të konsultoheni me një profesionist të fushës juridike.
Rregulli më i rëndësishëm është i thjeshtë: mos nënshkruani asgjë që nuk e keni lexuar, nuk e keni kuptuar ose për të cilën nuk keni marrë sqarimin e nevojshëm. /Telegrafi/
