Një banore e Nova Varoshit në Serbi iu drejtua presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës së tij në këtë qytet, duke pretenduar se në vitin 2020 i ishte premtuar një vend pune në këmbim të mbledhjes së një numri të caktuar votash në zgjedhjet parlamentare.
Sipas saj, vendin e punës nuk e mori kurrë shkruajnë mediat në rajon.
Gruaja iu drejtua jo vetëm Vuçiqit, por edhe Krsto Janusheviqit, ushtrues detyre i drejtorit të “Srbijasume”, si dhe kryetarit të komunës së Nova Varoshit, Branko Bjeliq, të cilët ndodheshin pas Vuçiqit në skenë.
“Në vitin 2020 më ishte premtuar se do të punësohesha. Më thanë se nëse mblidhja një numër të caktuar votash, do të merrja një vend pune”, tha ajo shkruan Index.hr, transmeton Telegrafi.
Gruaja shtoi se Bjeliq është fqinj i saj, por se prej atëherë nuk komunikon më me të.
“Dua ta di pse nuk e mora atë vend pune, kur më ishte premtuar se do ta merrja”, tha ajo.
Ajo nuk tregoi se për çfarë pozite pune bëhej fjalë dhe as nuk dha hollësi për mënyrën e mbledhjes së votave, por pretendoi se ka prova se i kishte mbledhur ato.
Vuçiq fillimisht tha se askush nuk do ta largonte gruan nga tubimi dhe se secili kishte të drejtë të thoshte atë që dëshironte. Megjithatë, ndërsa ajo vazhdoi t’i drejtohej, ai u irritua dhe në një moment e pyeti: “A mjafton tani?”.
Presidenti serb më pas i tha se çështjen që kishte me Janjusheviqin dhe Bjelliqin duhej ta zgjidhte me ta.
“Atë që keni me këta të dy, do ta zgjidhni me ta. Pse nuk keni shkuar te ata në komunë?”, e pyeti Vuçiq. Gruaja iu përgjigj se kishte shkuar, me ç’rast diskutimi për këtë çështje përfundoi.
