Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të VLEN-it lidhur me Prokurorinë dhe rastin “Lotaria”, duke i cilësuar ato si presion politik ndaj institucioneve të drejtësisë.
Në reagimin e BDI-së thonë se opinioni publik është “skandalizuar” nga, siç e cilëson, apostrofimi i drejtpërdrejtë i Prokurorisë nga ana e VLEN-it.
“Sot i gjithë opinioni është skandalizuar nga reagimi i partisë VLEN dhe apostrofimi i tyre ndaj Prokurorisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, presionet ndaj institucioneve të drejtësisë janë përmendur edhe në raportet e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa deklaratat e VLEN-it, sipas kësaj partie, e konfirmojnë këtë shqetësim.
“Komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi raporton për presione qeveritare ndaj Prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa VLEN këtë dyshim e konfirmoi sot publikisht”, thekson BDI.
BDI i referohet edhe raportit të Bashkimit Evropian, për të cilin thotë se ngre shqetësime serioze për ndërhyrje politike në sundimin e ligjit.
“Prokuroria dhe Gjykatat duhet të vendosin në bazë të provave e jo direktivave politike dhe partiake. Drejtësi selektive partiake nuk i duhet as qytetarëve e as Maqedonisë së Veriut”, thuhet më tej në reagim.
BDI bën të ditur se këtë shqetësim ua ka përcjellë edhe partnerëve ndërkombëtarë, duke përfshirë, sipas saj, edhe reagimin e sotëm të VLEN-it.
“BDI bën thirrje për drejtësi europiane, joselektive. Prokurorët bartin përgjegjësi dhe duhet të vendosin në bazë të ligjit, provave, ekspertizave, e jo në bazë të urdhëresave dhe dëshirave partiake”, thuhet në komunikatë.
Në vijim, BDI akuzon VLEN-in se, sipas saj, po përpiqet të kamuflojë “paaftësinë dhe dështimin e tërësishëm” përmes asaj që e cilëson si përndjekje politike dhe presion ndaj Prokurorisë.
BDI gjithashtu i drejton akuza ndaj disa prej figurave të VLEN-it, duke kërkuar që, sipas saj, denoncimet të nisin nga radhët e kësaj partie.
“VLEN le të nisë denoncimet nga radhët e veta, si për shembull Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu për mbi 250 milionë euro dëm me ndërtimet pa leje, Burim Latifi mbi 19 milionë euro dëm buxhetit, Nedim Rama dhe keqbërësit e tjerë nga radhët e tyre”, thuhet në reagimin e BDI-së.
