Tajfuni Delfin ka goditur prefekturën jugore japoneze të Okinawas, duke lënduar gjashtë persona dhe duke lënë më shumë se 50 mijë objekte pa energji elektrike. Ndërkohë, Kina ka mbyllur portet dhe ka pezulluar transportin me tragete në pritje të mbërritjes së stuhisë në bregdetin e saj lindor.
Në Okinawa, pesë persona të moshuar u plagosën, ndërsa tre prej tyre ranë për shkak të erërave të fuqishme. Një person tjetër u plagos në prefekturën Kagoshima. Sipas autoriteteve, plagët nuk janë të rrezikshme për jetën.
Rreth 39 mijë objekte në Kagoshima mbetën pa energji elektrike, ndërsa në Okinawa u prekën më shumë se 12 mijë. Kompanitë ajrore japoneze ANA dhe Japan Airlines anuluan fluturimet drejt Okinawas dhe nga ky rajon.
Tajfuni ka sjellë erëra me shpejtësi deri në 162 km/h, ndërsa shpërthimet e erës kanë arritur deri në 216 km/h. Okinawa dhe ishulli Amami pritet të jenë zonat më të prekura në Japoni.
Në Kinë, tajfuni pritet të arrijë në tokë nga e diela në mbrëmje deri të hënën në mëngjes. Autoritetet i kanë dhënë stuhisë kategorinë portokalli, niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit, ndërsa kanë rritur edhe nivelin e reagimit emergjent për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.
Sipas Qendrës Kombëtare Meteorologjike të Kinës, tajfuni pritet të godasë mes qytetit Zhoushan në provincën Zhejiang dhe qytetit Fuding në provincën Fujian. Pranë qendrës së stuhisë, erërat mund të arrijnë shpejtësi prej 38 deri në 45 metra në sekondë.
Reshjet e dendura dhe erërat e forta pritet të prekin Kinën lindore deri më 12 gusht, përfshirë Shangain dhe provincat përreth. Në disa zona të Zhejiangut pritet të bien më shumë se 600 milimetra shi.
Provinca Zhejiang ka ngritur në nivelin më të lartë paralajmërimin bregdetar për tajfunin, ka pezulluar aktivitetin në porte dhe ka ndërprerë 162 linja tragetesh. Edhe Fujiani ka pezulluar disa linja tragetesh.
Aeroporti ndërkombëtar Ningbo Lishe në Zhejiang ka njoftuar pezullimin e operacioneve dhe anulimin e fluturimeve, ndërsa porti Yangshan në Shangai është boshatisur nga anijet. Disa linja hekurudhore në deltën e lumit Jance pritet gjithashtu të pezullohen.
Edhe Tajvani është prekur nga tajfuni, ku janë anuluar 78 fluturime ndërkombëtare. Autoritetet presin reshje të dendura në pjesët veriore të ishullit gjatë fundjavës.
Ndërkohë, Kina ka urdhëruar anijet që kalojnë përmes ngushticës së Tajvanit të respektojnë udhëzimet e saj për kontrollin e trafikut detar. Tajpei e ka kundërshtuar këtë masë, duke deklaruar se Pekini nuk ka të drejtë të kufizojë qarkullimin në ujërat ndërkombëtare. /Telegrafi/
