Marash Kumbulla ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi është transferuar në formë huazimi te skuadra spanjolle Rayo Vallecano nga Roma.
Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë do të jetë pjesë e klubit nga Madridi për sezonin 2026/27, ndërsa marrëveshja mes dy klubeve përfshin edhe një opsion blerjeje në fund të edicionit.
Kumbulla largohet nga Roma në kërkim të më shumë hapësirave dhe vazhdimësisë, pasi vitet e fundit ka pasur vështirësi për të siguruar një vend të rregullt në formacionin e skuadrës italiane.
Reprezentuesi shqiptar sezonin e kaluar ishte i huazuar te Mallorca, por aventura e tij në klubin spanjoll nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi problemet me lëndime ndikuan në minutat dhe ritmin e tij të lojës.
Kjo nuk ishte hera e parë që Kumbulla luante në formë huazimi në Spanjë. Gjatë sezonit 2024/25, mbrojtësi ishte pjesë e Espanyolit, ndërsa më herët ka pasur edhe një periudhë huazimi në Serie A te Sassuolo.
Kumbulla e nisi karrierën profesionale te Hellas Verona, ku u zhvillua si një prej mbrojtësve më premtues në futbollin italian. Paraqitjet e tij të mira i siguruan transferimin te Roma në vitin 2020, ku klubi kryeqytetas investoi për ta afruar si një mbrojtës me potencial të madh.
Tani, te Rayo Vallecano, 26-vjeçari shqiptar do të kërkojë të rikthejë formën e tij më të mirë dhe të fitojë stabilitet në një kampionat që tashmë e njeh mirë./Telegrafi/
