Superkupa e Spanjës do të zhvillohet për herë të parë në historinë e saj në Turqi, me qytetin e Stambollit që është zgjedhur si nikoqir i këtij turneu prestigjioz, raporton gazetari Alfredo Martinez.
Pas disa edicioneve të zhvilluara në Arabinë Saudite, kompeticioni do të ketë një destinacion të ri, ndërsa pritet të zhvillohet gjatë javës së parë të shkurtit të vitit 2027, si trofeu i parë që do të vendoset në sezonin e ri të futbollit spanjoll.
Ky edicion pritet të sjellë edhe një përballje shumë të veçantë taktike, pasi do të jetë dueli i parë zyrtar mes José Mourinhos, trajnerit të Real Madridit, dhe Hansi Flickut, strategut të Barcelonës.
Barcelona do të udhëtojë në Stamboll si kampione në fuqi e Superkupës së Spanjës, me synimin për të vazhduar dominimin në këtë garë.
Katalunasit kanë triumfuar në dy edicionet e fundit radhazi dhe kërkojnë një tjetër trofe për koleksionin e tyre.
Formati me katër skuadra do të përfshijë Barcelonën, Atletico Madridin, Real Madridin dhe Real Sociedadin, të cilat do të luftojnë në tokën turke për trofeun e parë të madh të vitit 2027.
Prania e katër prej skuadrave më të forta të futbollit spanjoll pritet të krijojë një atmosferë spektakolare në Stamboll, ndërsa tifozët turq do të kenë mundësinë të shohin nga afër disa prej yjeve më të mëdhenj të La Ligës.
Zhvendosja e Superkupës në Turqi shihet si një hap i ri në strategjinë e Federatës Spanjolle për ta promovuar këtë kompeticion në tregje ndërkombëtare./Telegrafi/
