KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Jakshiq e quan tradhtar Vuçiqin

Jakshiq e quan tradhtar Vuçiqin

Ish-anëtari i ekipit negociator të Serbisë për Kosovën dhe ish-deputeti serb, Marko Jakshiq, i ka drejtuar një letër të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, duke e kritikuar ashpër politikën e tij ndaj Kosovës.

Shkak për reagimin e Jakshiqit, sipas tij, është shembja e hotelit të të afërmit të tij, Jordan Jakshiq, në liqenin e Ujmanit, por letra shndërrohet në një sulm të gjerë ndaj politikës së Beogradit gjatë dekadës së fundit.

“Studentët kanë të drejtë kur thonë se je tradhtar për të gjitha gjeneratat”, shkruan Jakshiq në letrën e tij drejtuar Vuçiqit.

Ai pretendon se hoteli në Liqenin e Ujmanit ishte ndërtuar me paratë e fituara nga puna shumëvjeçare e Jordan Jakshiqit, i cili, sipas tij, kishte besuar deklaratat e Vuçiqit se Serbia nuk do të lejonte humbjen e Valaqit dhe Ujmanit, raporton kossev.

“Ti u betove se nuk do t’i dorëzoje Ujmanin dhe Valaqin me asnjë çmim. Fjala jote doli e dobët, sepse i dorëzove të gjitha”, shkruan Jakshiq.

Ish-politikani serb kritikoi edhe Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, duke akuzuar Vuçiqin se ka pranuar transferimin e kompetencave nga institucionet serbe te autoritetet e Kosovës.

Sipas tij, Beogradi ka humbur kontrollin mbi fusha si gjyqësori, policia, energjia dhe telekomunikacioni, ndërsa Bashkësia e Komunave Serbe, për të cilën Vuçiq kishte thënë se ishte objektivi kryesor i marrëveshjeve, ende nuk është krijuar.

Jakshiq e kritikoi gjithashtu presidentin serb për ngjarjet në Banjskë në vitin 2023, duke e quajtur atë “katastrofë politike dhe ushtarake”, dhe kërkoi që e vërteta për atë ngjarje të zbardhet.

Ai akuzoi Vuçiqin se gjatë fushatave politike sulmon qeveritë e mëparshme për çështjen e Kosovës, ndërsa vetë ka marrë vendime që, sipas tij, kanë dobësuar pozitën e Serbisë.

Në fund të letrës, Jakshiq kërkoi nga Vuçiqi që të ndërtojë një hotel të ri për të afërmin e tij në afërsi të Gazivodës, duke argumentuar se shteti serb duhet të mbrojë pronat e qytetarëve të vet.

“Ke dështuar të mbrosh atë që premtove se do ta mbroje”, shkruan Jakshiq, duke e përfunduar letrën me fjalët: “Studentët kanë të drejtë kur të quajnë tradhtar për të gjitha gjeneratat”. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.