Një gjykatës në New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë edhe 567 milionë dollarë për dështimin e saj për të paralajmëruar publikun mbi rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët.
Kjo e çon shumën totale të gjobave ndaj kompanisë në këtë çështje në 942 milionë dollarë.
Gjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi Metën si një “shqetësim publik”, duke e krahasuar ndikimin e platformave të saj me ndotjen e shkaktuar nga një fabrikë.
Sipas tij, dëmet psikologjike dhe rreziqet e shfrytëzimit seksual të fëmijëve janë pasoja që duhet të reduktohen.
Çështja nisi nga një padi e vitit 2023 nga shteti i New Mexicos, i cili argumentoi se platformat si Instagram dhe Facebook i ekspozonin fëmijët ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe kontakteve me persona të rrezikshëm. Gjykata gjeti se algoritmet e Metës i orientonin përdoruesit e rinj drejt përmbajtjeve problematike.
Meta, e cila zotëron Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Threads, ka deklaruar se nuk pajtohet me vendimin dhe do ta apelojë. Kompania thotë se punon për sigurinë e përdoruesve dhe se pretendimet kundër saj nuk pasqyrojnë përpjekjet e saj për mbrojtjen e adoleshentëve online.
Një pjesë e madhe e fondit prej 567 milionë dollarësh do të përdoret për trajtimin e dëmeve të shkaktuara te fëmijët, përmes programeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes profesionale. Gjithashtu, fondet do të shërbejnë për trajnime të mësuesve dhe profesionistëve të shëndetit mbi ndikimet negative të rrjeteve sociale.
Gjykatësi urdhëroi gjithashtu masa të reja sigurie, përfshirë kufizimin e kontakteve mes të rriturve dhe të miturve, ndalimin e shpërndarjes së imazheve nudo nga përdoruesit nën 18 vjeç, heqjen e numrit të pëlqimeve për të rinjtë dhe kufizimin e kohës së përdorimit të Instagramit dhe Facebook-ut. Ndërkohë, Meta përballet me mijëra padi të tjera në SHBA për çështje të ngjashme. /Telegrafi/
