Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të rëndë në Ferizaj, pasi një 31-vjeçar dyshohet se tentoi t’i bënte keq vetes, duke pasur me vete një armë zjarri.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur të mërkurën, më 6 gusht, rreth orës 18:26, në Parkun e Lirisë në Ferizaj.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, pjesëtarët e Qendrës së Komunikimit Rajonal kanë kontaktuar me personin dhe kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm me të, me qëllim qetësimin e situatës dhe bindjen që ta largonte armën deri në mbërritjen e patrullave policore.
Në vendin e ngjarjes kanë reaguar njësitet e Stacionit Policor në Ferizaj, të cilat kanë arritur të qetësojnë situatën dhe ta largojnë armën e zjarrit, një pistoletë, që ndodhej pranë 31-vjeçarit në një stol të parkut.
Falë ndërhyrjes së policisë, personi është larguar në mënyrë të sigurt nga zona e parkut dhe më pas është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj, ku ka marrë edhe ndihmë mjekësore dhe trajtimin e nevojshëm nga ekipi i Emergjencës.
Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe familjarët e personit.
Policia bëri të ditur se, në bashkëpunim me Sektorin Rajonal të Hetimeve, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, ndërsa është konfiskuar arma e zjarrit së bashku me gjashtë fishekë.
Në fund, Policia falënderoi ekipet emergjente të Spitalit të Ferizajt për reagimin e shpejtë dhe trajtimin profesional të rastit, duke ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
