Joschka Fischer, 78-vjeçar, ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë në një intervistë me gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” mbi zhvillimet dramatike në botë, shkruan gazetari, Enver Robelli.
Mbi marrëdhëniet transatlantike
“Fakti vendimtar është tërheqja e SHBA-së. Amerika ishte fuqia jonë mbrojtëse që nga viti 1945, por Donald Trump nuk është dikush te i cili mund të mbështetesh. Këtë ai e tregon pothuajse çdo ditë. Kësaj i shtohet edhe rikthimi i kërcënimit rus në Ukrainë. Pyetja është: Kush na mbron ne në Gjermani dhe Evropë? Përgjigja është: Këtë duhet ta bëjmë vetë”.
Mbi të ardhmen e NATO-s
Marrëdhënia transatlantike është e dëmtuar rëndë nga pikëpamja e sigurisë. Për ta thënë qartë: Nuk besoj se NATO, kështu siç është sot, do të ketë një të ardhme – fatkeqësisht, që të mos keqkuptohem. Mirëpo, braktisja e NATO-s evropiane do të ishte një gabim, dhe ne duhet patjetër t’ia lemë derën hapur edhe Kanadasë. Procedurat e konsoliduara të bashkëpunimit, planifikimi i përbashkët ushtarak: këto BE-ja nuk mund t’i zëvendësojë. (…) Na nevojitet ndërveprueshmëria, domethënë prodhim i përbashkët i armatimit, një planifikim i harmonizuar dhe përveç kësaj një kornizë institucionale.
Mbi rëndësinë e Ukrainës
Qeveria Trump e ka bërë të qartë: Një anëtarësim i Ukrainës në NATO nuk vjen në shprehje, dhe për sa kohë që NATO ekziston ende në formën e saj të tanishme, evropianët bëjnë mirë që të mos e prekin aktivisht këtë temë. Sidoqoftë, më bëri optimist fakti që evropianët dolën njëzëri në mbrojtje kur Trump e tradhtoi Ukrainën dhe luftën e saj për pavarësi e liri. Për sigurinë evropiane, Ukraina ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe – dhe prej kësaj do të rrjedhin hapat e mëtejshëm kur kjo luftë të ketë përfunduar një ditë. Përvoja ukrainase në luftën me dronë, përvoja e ushtrisë së saj në fushëbetejë – kjo ka një peshë të konsiderueshme. Ne duhet të gjejmë rrugë për ta lidhur ngushtë Ukrainën me Evropën.
Mbi Turqinë dhe Iranin
“Për një kohë të gjatë kam qenë mbështetës i anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE. Sot nuk besoj më në këtë. Mirëpo, Evropa nuk mund t’ia lejojë vetes ta humbasë Turqinë. Ajo është e një rëndësie vendimtare për Evropën Juglindore, Mesdheun Lindor, si dhe për Lindjen e Afërt e të Mesme. Irani do ta ketë armën bërthamore në një moment. Veçanërisht nën përshtypjen e kërcënimit që regjimi e percepton si ekzistencial, kjo është shumë e mundshme. Dhe cili do të jetë atëherë reagimi i Arabisë Saudite, i Emirateve, i Egjiptit apo i Turqisë? Me këtë, Evropa ka një problem masiv sigurie, të cilin në këtë moment po e injorojmë tërësisht”.
Mbi ekstremizmin e majtë
„Përvoja ime është kjo: edhe ideja më e mirë do të dështojë patjetër, nëse futesh në rrugën e dhunës. (…) Kur je i ri, ke shumë gjëra në mendje, shumë ide. Dhe kështu duhet të jetë. Sepse kjo është pjesa inovative e biografisüe. Por përvoja të bën më të mençur“.
Foto: Joschka Fischer gjatë një takimi me ministren e Jashtme amerikane Madeleine Albright. Të dy kanë qenë ndër mbrojtësit më të zëshëm të intervenimit të NATO-s në Kosovë dhe përkrahësit e çlirimit të Kosovës. /Telegrafi/
