Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur mbështetje parimore për rritjen e pagës minimale në 500 euro, por ka kërkuar nga Qeveria transparencë lidhur me analizat ekonomike dhe sociale që kanë paraprirë këtë vendim.
AKB, përmes një reagimi, ka thënë se rritja e pagave dhe përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve janë në interes të ekonomisë, por ka ngritur shqetësime për mënyrën se si është vendosur dhe zbatuar paga minimale prej 500 eurosh.
“AKB e mbështet parimisht rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve në Kosovë. Megjithatë, AKB shpreh shqetësim serioz për mënyrën se si është vendosur dhe zbatuar paga minimale prej 500 euro, pa një dialog të plotë institucional me partnerët socialë dhe pa transparencë të mjaftueshme lidhur me analizat ekonomike, sociale dhe ligjore”, thuhet në reagim.
Sipas AKB-së, Qeveria duhet të publikojë analizat mbi të cilat është përcaktuar niveli i pagës minimale, përfshirë ndikimin në punësim, bizneset e vogla, konkurrueshmërinë dhe informalitetin.
“Ku është analiza e kostos së jetesës mbi bazën e së cilës është përcaktuar niveli prej 500 euro? Ku është analiza e ndikimit në punësim dhe papunësi? Ku është analiza e ndikimit te mikro, bizneset e vogla dhe ndërmarrjet e mesme?”, pyet AKB-ja.
Organizata e bizneseve ka paralajmëruar se rritja e kostos së punës, nëse nuk shoqërohet me masa të tjera ekonomike, mund të ndikojë në punësimin formal dhe qëndrueshmërinë e bizneseve.
Sipas saj, ndër pasojat e mundshme janë “zvogëlimi i vendeve të punës, mosdeklarimi i plotë i pagave, rritja e punësimit informal, zgjerimi i ekonomisë gri, mbyllja e mikro-bizneseve, rritja e çmimeve” dhe dobësimi i konkurrueshmërisë.
Në këtë kuadër, AKB i ka propozuar Qeverisë krijimin e një “Pakete 500+ për Punësim Formal”, e cila do të përfshinte lehtësime tatimore, ulje të kostos së punës për bizneset e vogla, subvencione për punësimin e të rinjve dhe kategorive të rrezikuara, si dhe mbështetje për bizneset që formalizojnë punëtorët.
AKB ka kërkuar gjithashtu masa për luftimin e ekonomisë informale, mbështetje për digjitalizimin dhe rritjen e produktivitetit, si dhe krijimin e një mekanizmi të përhershëm të dialogut social ndërmjet Qeverisë, punëdhënësve dhe punëtorëve.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se Kosova ka nevojë për paga më të larta, por edhe për biznese më të qëndrueshme.
“Paga 500 euro është e mirë për punëtorin. Por paga 500 euro pa biznes të qëndrueshëm, pa produktivitet më të lartë, pa lehtësime fiskale dhe pa dialog social mund të shndërrohet në problem për vetë punëtorin”, ka deklaruar Shahini.
Ai ka theksuar se AKB-ja nuk e kundërshton rritjen e pagave, por mënyrën e vendimmarrjes.
“Ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave. Ne kundërshtojmë mënyrën kur një vendim kaq i rëndësishëm për ekonominë merret pa transparencë të plotë mbi analizat, pa dialog të mjaftueshëm me partnerët socialë dhe pa një paketë ekonomike që e mbron punësimin”, ka thënë Shahini.
Sipas tij, Qeveria duhet të publikojë analizat dhe procedurat, si dhe të ulet në dialog me përfaqësuesit e bizneseve dhe punëtorëve për të gjetur masa që do ta bëjnë të qëndrueshme pagën minimale prej 500 eurosh. /Telegrafi/
