Një takim tre orësh u zhvillua të martën ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Ndonëse, takimi u tha se u zhvillua në frymë konstruktive nuk pati marrëveshje politike ndërmjet dy liderëve partiakë, gjersa të enjten në ora 10:00 do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Pas takimit tre orësh ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut pati deklarata nga dy liderët.
Kurti pas takimit me Abdixhikun: Takim në frymë konstruktive, por nuk kemi marrëveshje politike me LDK-në
Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u shpreh se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kaluar në frymë konstruktive, por pa prodhuar marrëveshje politike.
“Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale dhe të sfidave që na presin. Ndajmë shumë brenga, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen”, u shpreh Kurti.
Ai tha se takimet ndërmjet partive politike duhet të jenë pjesë normale e komunikimit politik dhe të shërbejnë për gjetjen e zgjidhjeve, pavarësisht dallimeve ndërmjet tyre.
Megjithatë, Kurti konfirmoi se me LDK-në nuk është arritur marrëveshje.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Kemi diskutuar për qasje të ndryshme dhe mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor dhe e shndërron atë në stabilitet institucional”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje politike, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja, ndonëse tha se një skenar i tillë nuk është i dëshirueshëm.
Kurti foli edhe për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke bërë të ditur se gjatë takimit me LDK-në nuk janë diskutuar emra konkretë.
Sipas tij, synimi është që për këtë pozitë të gjendet një kandidat gjithëpërfshirës, i cili do të ishte jashtë polemikave partiake dhe do të gëzonte mbështetje të gjerë në Kuvend.
Ndërkohë, Kurti foli edhe për komunikimin me partitë e tjera. Ai kritikoi kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini, duke thënë se, pavarësisht gatishmërisë së tij për takim, një takim i tillë nuk është realizuar.
Kurti shtoi se mbetet i gatshëm të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar mënyrat për tejkalimin e situatës politike.
“Nuk kemi apetit për kryetar të Kuvendit” – Abdixhiku e konsideron si figurë ceremoniale
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij nuk synon të marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit, pasi sipas tij, kjo pozitë duhet t’i takojë partisë së parë, në përputhje me Kushtetutën.
Pas takimit rreth tri orësh me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Abdixhiku tha se, nëse deri më 6 gusht nuk arrihet një marrëveshje, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë.
“Nëse deri më 6 gusht s’kemi marrëveshje, i kemi thënë të vazhdojë konstituimi. LDK-ja s’ka apetit për kryetar të Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë propozimin e partisë së parë, siç e thotë edhe Kushtetuta. Për çështje të tjera, kemi afat kohor shtesë. Sa më herë të bëjmë zgjidhje, aq më mirë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai e ka vlerësuar takimin me Kurtin si të mbarë dhe ka bërë të ditur se LDK-ja është e gatshme që diskutimet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Abdixhiku ka theksuar se partia e tij ka hyrë në këto diskutime me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.
Ai tha se në takimin e dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, LDK-ja mori pjesë me vullnet të mirë dhe me synimin për t’i shmangur zgjedhjet e reja.
“Morëm pjesë në takimin e dytë pas 7 qershorit me vullnet të mirë, respektim të rezultatit zgjedhor dhe gatishmërinë si LDK për të shmangur zgjedhjet e reja. Kështu e respektojmë interesin e LDK-së dhe shtetin. Ishte takim i mirë, i mbarë. I trajtuam çështjet e ndryshimeve programore, politike dhe të ardhmeve strategjike. Do të përpiqemi edhe ditëve në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore”, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka përsëritur se partia që ai drejton qëndron në parimet që tashmë i ka bërë publike, duke kërkuar një marrëveshje që, sipas tij, do të siguronte balancë institucionale dhe demokratike.
“Qëndrojmë brenda parimeve tashmë të bëra publike. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve. Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërt konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, u shpreh ai.
Abdixhiku paralajmëroi se, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje politike, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.
“Nëse s’bëjmë asgjë, i vetmi skenar i garantuar janë zgjedhjet e reja”, deklaroi kryetari i LDK-së. /Telegrafi/
