Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për forcimin e sundimit të ligjit dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.
Sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, ambasadori Rudolph e uroi Gashin për marrjen e detyrës së re si Kryeprokuror i Shtetit, duke shprehur gatishmërinë e Gjermanisë për të mbështetur institucionin në fushat ku ka nevojë.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për çështje që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, me fokus të veçantë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat u cilësuan si elemente kyçe në rrugën e integrimit evropian të vendit.
Po ashtu, në takim u diskutua për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese gjermane, forcimin e pavarësisë institucionale, si dhe reformat e planifikuara për avancimin e proceseve të punës në sistemin prokurorial.
Temë e diskutimit ishte edhe integrimi i komuniteteve joshumicë në sistemin prokurorial, si dhe mbështetja institucionale për investitorët e huaj që investojnë në Kosovë.
Në fund të takimit, Kryeprokurori Gashi dhe ambasadori Rudolph theksuan rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit institucional edhe në të ardhmen. /Telegrafi/
