Mediumi zviceran 20 Minuten kanë bërë një reportazh disaditor në Kosovë, duke treguar histori nga jeta e diasporës shqiptare që kalon pushimet verore në vendlindje deri tek dasmat.
Dy gazetaret Lynn Sachs dhe Carolin Teufelberger kanë udhëtuar nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, duke shikuar traditat, mikpritjen, dasmat, gastronominë dhe përvojat e bashkatdhetarëve që jetojnë në Zvicër.
Mbërritja në Kosovë dhe përshtypjet e para
Udhëtimi nisi me mbërritjen në Prishtinë, ku gazetaret u përballën me reshje shiu dhe temperatura më të ulëta se sa kishin pritur për mesin e verës.
Lynn Sachs dhe Carolin Teufelberger
Gjatë ditëve të para ato vizituan Prishtina Mall, qendrën më të madhe tregtare në vend, ku vunë re një numër të madh automjetesh me targa zvicerane, duke e cilësuar këtë si një tregues të pranisë së madhe të diasporës gjatë sezonit veror.
Në reportazh përshkruhet edhe trafiku i rënduar në Kosovë gjatë verës, ku sipas tyre ngasja kërkon më shumë kujdes për shkak të fluksit të madh të automjeteve.
Dasmat – traditë që mbledh diasporën
Një pjesë e madhe e reportazhit i kushtohet sezonit të dasmave.
Gazetaret vizituan sallën e njohur të dasmave “Kopshti i Bardhë”, ku menaxheri Përparim Cakolli tregoi se rreth 80 për qind e çifteve që organizojnë dasmat aty jetojnë në Zvicër.
Sipas tij, gjatë korrikut dhe gushtit organizohet pothuajse nga një dasmë çdo ditë, ndërsa paketa bazë për një organizim me rreth 300 mysafirë kushton 15 mijë euro, pa përfshirë muzikën.
Në Prizren na pritën ngrohtësisht Mirsada, Ilhani, Nejla, Ilvana dhe Mirela (nga e majta në të djathtë).
Ai tha se këngëtarët e njohur mund të kushtojnë nga 7 deri në 11 mijë euro, ndërsa dasma më e shtrenjtë e organizuar aty ka arritur vlerën e 40 mijë eurove.
“Dasma për ne është shumë më tepër sesa një festë. Familja është gjëja më e rëndësishme”, citohet të ketë thënë ai.
Vizitë te një familje nga diaspora në Prizren
Në Prizren, gazetaret vizituan familjen e Mirelës dhe Ilhanit, të cilët jetojnë në St. Gallen të Zvicrës dhe çdo verë kthehen në Kosovë.
Ata treguan se qëndrimi në Kosovë është i rëndësishëm për t’u mësuar fëmijëve rrënjët dhe për të ruajtur lidhjet me familjen.
Familja vlerësoi cilësinë e ushqimit në Kosovë, veçanërisht domatet dhe shalqinjtë, por përmendi si sfida internetin dhe furnizimin me energji elektrike.
Në mbrëmje, qyteti i Prizrenit është plot jetë.
Gazetaret vizituan edhe qendrën historike të Prizrenit, ku provuan qebapët dhe shëtitën pranë Shatërvanit, për të cilin përmendën legjendën se kush pi ujë aty, rikthehet sërish në qytet.
Ato raportuan gjithashtu se gjatë rrugës panë disa kolona tradicionale të dasmave të zbukuruara me flamuj shqiptarë dhe automjete me targa zvicerane.
Mikpritja kosovare
Një nga elementet që përsëritet në reportazh është mikpritja.
Gazetaret shkruajnë se pothuajse kudo ku kanë shkuar janë pritur me ofertën për kafe apo ushqim, ndërsa shpesh nuk janë lejuar as të paguajnë.
Vallëzimi i dasmës së të porsamartuarve.
“Ju jeni mysafirët tanë, ne do të kujdesemi për ju”, është mesazhi që, sipas tyre, kanë dëgjuar vazhdimisht gjatë qëndrimit në Kosovë.
Ariana dhe Sunaj – dasma që u bë pjesë e reportazhit
Kulmi i reportazhit ishte pjesëmarrja në dasmën e Arianës (25) dhe Sunajt, një çift me prejardhje nga Kosova, por i lindur dhe rritur në Zvicër.
Ariana tregoi se vendosi të martohej në Prishtinë sepse një pjesë e madhe e familjes jeton në Kosovë, ndërsa sipas saj vendi ofron më shumë mundësi për organizimin e dasmave sesa Zvicra.
Në mbrëmje, para mbi 420 të ftuarve, çifti shkëmbeu betimet martesore pranë pishinës, me efekte të akullit të thatë dhe një piano të bardhë, ndërsa festa vazhdoi deri në orët e vona.
Për herë të parë që nga e premtja, dy gazetarët po shijojnë një vakt vegjetarian.
Gazetaret e 20 Minuten e cilësuan këtë si pikën kulmore të udhëtimit të tyre në Kosovë, duke theksuar atmosferën festive, muzikën dhe pistën e mbushur plot me valltarë.
Artikullin e ka shpërndarë gazetari dhe analisti Enver Robelli, i cili ka ndarë disa nga përshtypjet e tyre, duke theksuar se për gazetaret zvicerane një dasmë me 420 mysafirë përbën një përvojë të veçantë, edhe pse për standardet kosovare një numër i tillë konsiderohet një dasmë e madhe.
“Nusja këtu stoliset 4 orë pandërprerë”, është një nga përshkrimet që ka veçuar Robelli, duke nënvizuar dallimet kulturore mes traditave kosovare dhe atyre zvicerane.
Reportazhi i mediumit zviceran do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim me histori të tjera nga diaspora shqiptare dhe jeta verore në Kosovë…/Telegrafi/
