Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Komuna ka ndërprerë marrëveshjen me BIRN-in për shfrytëzimin e hapësirës publike në “Grand Hotel”, duke e lidhur këtë vendim me mungesën e, siç ka thënë ai, “sqarimeve për çështjen thelbësore rreth faqes Lule Gjeli”.
Vendimi i Ramës ka nxitur reagimin e drejtoreshës së BIRN Kosovës, Jeta Xharra, e cila ka akuzuar kryetarin e Prishtinës se po hakmerret ndaj Kallxo.com për shkak të raportimeve kritike ndaj punës së tij.
Xharra ka deklaruar se Kallxo.com ka raportuar vazhdimisht për përmbajtjet e rreme të publikuara nga faqja “Lule Gjeli”, duke thënë se mediumi i saj ka qenë ndër të parët që ka denoncuar këtë profil pasi ai nisi publikimin e lajmeve të pavërteta.
“Përparim Rama ka vendosur me na u hakmarr për shkak se kemi publikuar 13 Krypometra, pra 13 artikuj, që tregojnë se faqja Lule Gjeli rren”, ka shkruar Xharra.
Sipas saj, reagimi i Ramës ka ardhur pas një diskutimi që ajo e ka pasur me të lidhur me kritikat ndaj një raportimi të Kallxo.com për përmbytjen nga reshjet në rrugën “Agim Ramadani”.
Xharra ka thënë se në njoftimin zyrtar të pranuar nga Drejtoria e Pronës së Komunës së Prishtinës nuk përmendet çështja e “Lule Gjelit” dhe as kritikat ndaj raportimit të Kallxo.com, por vetëm argumentohet se projekti nuk është përfunduar sipas dinamikës së paraparë.
Ajo ka kundërshtuar që ndërprerja e marrëveshjes të ndikojë në funksionimin e muzeut “Reporting House”, duke e cilësuar atë si një projekt me rëndësi për qytetarët e Kosovës.
“Prishtinës i duhet muzeu Reporting House, të cilin e kanë vizituar mbi 23 mijë vizitorë, ndërsa gjysma e tyre janë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme nga gjithë Kosova”, ka shkruar Xharra.
Sipas saj, ky muze ka plotësuar një boshllëk në prezantimin e historisë së rezistencës paqësore dhe të armatosur të Kosovës, përmes materialeve arkivore, fotografive, xhirimeve dhe punimeve artistike.
Duke folur për çështjen e “Lule Gjelit”, Xharra ka thënë se Kallxo.com nuk e ka mohuar asnjëherë se në vitin 2020 ka publikuar një autor me pseudonimin “Lule Gjeli”, por ka sqaruar se publikimi me pseudonim ishte bërë për shkak të kërkesës së autorit, i cili kishte pretenduar se mund të humbiste vendin e punës.
“Por, në momentin që ky profil nisi me publikimin e rrenave, ne jemi të parët që e kemi denoncuar dhe si pasojë e këtyre denoncimeve jemi sulmuar në vazhdimësi me lajme të rreme nga ky profil”, ka deklaruar ajo.
Xharra ka vlerësuar se një artikull i publikuar në vitin 2020 nuk mund të jetë arsye për ndërprerjen e mbështetjes ndaj një projekti kulturor në vitin 2026.
Ndërkohë, kryetari Përparim Rama nuk ka dhënë detaje të tjera për vendimin, përveç arsyetimit të tij se BIRN dhe Kallxo.com nuk kanë ofruar sqarime për çështjen që lidhet me “Lule Gjelin”.
