Avokuesi i çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Faton Bislimi, ka bërë të ditur se në Kongresin Amerikan është paraqitur Rezoluta Kongresionale 1451, e cila kërkon që sesioni vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për vitin 2027 të mbahet në Charleston të Karolinës së Jugut dhe jo në Beograd.
Sipas Bislimit, rezoluta është iniciuar nga kongresmeni amerikan Joe Wilson, i njohur si mbështetës i Kosovës, dhe është bashkënënshkruar nga rreth 40 ligjvënës republikanë dhe demokratë.
Ai e ka cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm, duke thënë se puna e vazhdueshme dhe angazhimi për promovimin e interesave të Kosovës në Uashington po japin rezultate.
“Puna konsistente, angazhimi serioz dhe vlerat e lirisë e demokracisë gjithëherë kanë qenë dhe mbeten busullë e orientimit tim strategjik për vendin e kombin tonë, dhe kur ato sjellin rezultate, ndjenja e krenarisë është e shumëfishtë”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka theksuar se prej më shumë se dy dekadash janë paraqitur argumente në Uashington se stabiliteti në Ballkan nuk mund të ndërtohet duke shpërblyer politika që, sipas tij, bien ndesh me interesat strategjike të Perëndimit.
Bislimi ka përsëritur qëndrimin se Serbia vazhdon të jetë një instrument i rëndësishëm i ndikimit rus në Evropë, ndërsa ka thelluar marrëdhëniet edhe me Kinën dhe Iranin, duke shtuar se kjo e bën të domosdoshme që institucionet euroatlantike të dërgojnë mesazhe të qarta në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sigurisë kolektive.
Sipas tij, pikërisht këto argumente janë përfshirë edhe në Rezolutën 1451, e cila kundërshton mbajtjen e sesionit të ardhshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Serbi.
Në fund, Bislimi ka falënderuar kongresmenin Joe Wilson dhe bashkënënshkruesit e rezolutës nga të dyja partitë për mbështetjen ndaj Kosovës, duke vlerësuar se miqësia amerikane mbetet garancia më e fortë për paqen, stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe rajonit./Telegrafi.
