Të dhënat e fundit ndryshojnë tonin e debatit, por një pikëpyetje e rëndësishme mbetet ende pa përgjigje përfundimtare
Nëse po planifikoni një shtatzëni ose keni mbetur papritur shtatzënë ndërsa përdorni barna GLP-1, si semaglutidi, ka të ngjarë të keni shumë pyetje. Edhe pse rekomandimet e deritanishme kanë qenë të kujdesshme, një studim i ri sjell të dhëna disi inkurajuese – por ekspertët vazhdojnë të bëjnë thirrje për kujdes.
Mjekët zakonisht i këshillojnë gratë që planifikojnë shtatzëni të mos përdorin barna GLP-1, kryesisht për shkak të rezultateve të studimeve te kafshët, të cilat kanë ngritur shqetësime për rrezikun e mundshëm të anomalive kongjenitale.
Kjo natyrisht mund të shkaktojë ankth te gratë që zbulojnë se janë shtatzënë ndërkohë që ende e përdorin terapinë.
Megjithatë, një studim i ri sjell disa të dhëna qetësuese.
Rezultatet treguan se gratë që kishin përdorur barna GLP-1 pak para shtatzënisë ose që i kishin ndërprerë vetëm pasi kishin mësuar se ishin shtatzënë, nuk kishin një rritje të dukshme të komplikimeve të shtatzënisë apo anomalive kongjenitale te foshnjat.
Ekspertët theksojnë se këto të dhëna janë të rëndësishme, pasi deri më tani informacionet për ekspozimin ndaj këtyre barnave në fillim të shtatzënisë kanë qenë të kufizuara.
Megjithatë, studimet e disponueshme ende nuk konsiderohen të mjaftueshme për të ndryshuar rekomandimet aktuale.
U analizuan pothuajse 37 mijë shtatzëni
Për të krijuar një pasqyrë më të qartë, studiuesit kryen një metaanalizë që përfshinte katër studime të mëparshme me afro 37 mijë shtatzëni.
Ata krahasuan gratë me diabet dhe/ose obezitet që kishin përdorur barna GLP-1 me gratë që kishin marrë terapi të tjera për diabetin.
Rreth 21 për qind e grave në grupin GLP-1 e kishin përdorur ilaçin deri në momentin kur kishin mësuar se ishin shtatzënë, ndërsa të tjerat e kishin ndërprerë më herët.
Studiuesit analizuan komplikime të ndryshme, përfshirë:
- tensionin e lartë të gjakut dhe preeklampsinë;
- diabetin gestacional;
- lindjen me prerje cezariane;
- humbjen e shtatzënisë.
Gjithashtu u analizuan edhe rezultatet te foshnjat, si lindja e parakohshme, anomalitë kongjenitale, lindja e foshnjës pa shenja jete dhe pesha jo e zakonshme në lindje.
Rezultatet nuk treguan se ekspozimi ndaj barnave GLP-1 lidhej me rrezik më të madh për fetusin, ndërsa në disa rezultate gratë që i kishin përdorur këto barna kishin më pak komplikime krahasuar me grupet që merrnin terapi të tjera, transmeton Telegrafi.
A mund të ndikojë kontrolli më i mirë i peshës dhe sheqerit?
Obeziteti para shtatzënisë lidhet vetë me rrezik më të lartë për komplikime të ndryshme gjatë shtatzënisë.
Studiuesit mendojnë se një shpjegim i mundshëm për rezultatet e vërejtura mund të jetë kontrolli më i mirë metabolik, i peshës trupore dhe i nivelit të glukozës para konceptimit.
Megjithatë, ata theksojnë se bëhet fjalë për një lidhje të vërejtur në studime dhe jo për dëshmi se barnat GLP-1 janë të sigurta apo të dobishme për përdorim gjatë shtatzënisë.
A duhet ndërprerë terapia me GLP-1?
Sipas rekomandimeve aktuale, disa barna të kësaj klase duhet të ndërpriten një periudhë para një shtatzënie të planifikuar. Për semaglutidin, rekomandohet ndërprerja të paktën dy muaj para konceptimit.
Arsyeja është se ilaçi qëndron për një kohë të gjatë në organizëm dhe nevojiten disa javë që të eliminohet.
Pavarësisht rezultateve të reja, ekspertët theksojnë se rekomandimet aktuale nuk kanë ndryshuar. Derisa të ketë studime më të mëdha dhe më të besueshme, përdorimi i këtyre barnave gjatë shtatzënisë nuk rekomandohet.
Barnat për humbje peshe dhe shtatzënitë e papritura
Te disa gra, humbja e peshës dhe përmirësimi i metabolizmit mund të ndikojnë në rikthimin ose rregullimin e ovulacionit, veçanërisht te ato me rezistencë ndaj insulinës ose sindromën e vezoreve policistike (PCOS).
Pikërisht për këtë arsye janë raportuar edhe shtatzëni të papritura gjatë përdorimit të këtyre terapive, të cilat në rrjetet sociale janë quajtur joformalisht edhe “foshnjat Ozempic”.
Gratë që nuk planifikojnë shtatzëni duhet të diskutojnë me mjekun ose farmacistin për një metodë të besueshme kontraceptive gjatë trajtimit. Për disa preparate specifike, mund të nevojiten masa shtesë kontraceptive, ndaj rekomandimet duhet të kontrollohen sipas ilaçit që përdoret.
Çfarë të bëni nëse mbeteni shtatzënë?
Nëse zbuloni se jeni shtatzënë ndërsa përdorni një ilaç GLP-1, kontaktoni sa më shpejt gjinekologun ose mjekun që ju ka përshkruar terapinë dhe mos merrni vendime për vazhdimin e trajtimit pa këshillë profesionale.
Të dhënat e deritanishme janë inkurajuese dhe nuk kanë treguar një rritje të qartë të rrezikut për anomali kongjenitale pas ekspozimit të hershëm, por informacionet janë ende të kufizuara. Prandaj, kujdesi dhe ndjekja mjekësore mbeten thelbësore. /Telegrafi/
