Propozimi i ribalancit të plotësuar për Buxhetin e vitin 2026 siguron mjete shtesë për përshpejtimin e investimeve kapitale, mbështetjen e bujqësisë, komunave dhe realizimin e prioriteteve zhvillimore të Qeverisë, si dhe plotësimin e pandërprerë të detyrimeve ligjore.
Ndryshimet e propozuara janë të destinuara drejt vazhdimit të politikave për stabilitetin ekonomik, zhvillimin dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë parashtrimit të plotësimit të Propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026 para deputetëve në Kuvend.
Ministrja theksoi se plotësimi i Propozimit përfshin ndryshimet e propozuara nga Qeveria, si dhe amendamentet që u pranuan gjatë debatit në komisionin parlamentar amë, duke përforcuar më tej mbështetjen për qytetarët dhe politikat zhvillimore.
“Plotësimi i Propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026 paraqet harmonizim të përgjegjshëm dhe në kohë të projeksioneve buxhetore me rrethanat e reja ekonomike, si dhe siguron mjetet e nevojshme për plotësimin e detyrimeve ligjore që kanë lindur ndërkohë dhe për realizimin e prioriteteve zhvillimore. Me këto ndryshime sigurojmë mjete për pagesën e pagave të rritura në sektorët ku është paraparë rritje, mbështetje shtesë për bujqësinë, më shumë mjete për mbrojtjen sociale dhe për komunat. Ajo që e veçon veçanërisht këtë ribalanc është sigurimi i mjeteve shtesë për përshpejtimin e ciklit investues dhe realizimin e projekteve infrastrukturore”, theksoi Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi se, pavarësisht pasigurisë së vazhdueshme ekonomike globale të shkaktuar nga zhvillimet gjeopolitike, ekonomia maqedonase vazhdon të dëshmojë qëndrueshmëri dhe stabilitet.
Për vitin 2026 është projektuar rritje reale e prodhimit të brendshëm bruto prej 3.5%, ndërsa shtytësi kryesor i aktivitetit ekonomik do të jenë investimet, të mbështetura nga realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore dhe investimeve kapitale në nivel qendror dhe lokal. Pritet që investimet të rriten me 7.2%, paga mesatare neto me 8.3%, papunësia të ulet më tej në 11%, ndërsa shkalla e punësimit të arrijë në 47%. Inflacioni mesatar i projektuar për vitin 2026 është 4.5% dhe, në pjesën më të madhe, kushtëzohet nga presionet e jashtme mbi çmimet dhe zhvillimet gjeopolitike.
Veçanërisht u theksua realizimi i shpenzimeve kapitale, të cilat në periudhën janar–qershor arritën në 19.4 miliardë denarë, ose 53.5% më shumë krahasuar me periudhë e njëjtën të vitit të kaluar./Telegrafi/
