Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar kontrollet në trafik ndaj drejtuesve të motoçikletave dhe skuterëve, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë periudhës nga 1 deri më 26 korrik 2026, janë shqiptuar gjithsej 97 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave, të cilët janë evidentuar duke shkelur rregullat e komunikacionit rrugor.
“Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar gjithsej 97 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave, të cilët janë kapur duke qarkulluar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë Rajonale të Ferizajt.
Gjatë këtij aksioni janë konfiskuar edhe 50 motoçikleta dhe skuterë, kryesisht për shkak të mungesës së dokumentacionit të rregullt.
Kontrollet janë realizuar në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe skuterëve”.
Sipas Policisë, shkeljet më të shpeshta të evidentuara kanë qenë drejtimi i motoçikletës pa patentë shoferi, me 50 raste, drejtimi pa regjistrim, me 27 raste, si dhe drejtimi pa helmetë mbrojtëse, me 10 raste. Për kundërvajtje të tjera janë shqiptuar edhe 10 masa.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë apel te qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke theksuar se mosrespektimi i tyre paraqet rrezik për jetën e drejtuesve të motoçikletave dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
“Respektoni kufizimet e shpejtësisë, përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës dhe gjithmonë vendosni helmetën mbrojtëse. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën”, thuhet në apel.
Nga Policia është bërë e ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa qytetarët janë ftuar që të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose numrave 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. /Telegrafi/
