Komuna e Kamenicës ka njoftuar për Panairin e Produkteve Vendore, i cili po mbahet në sheshin e qytetit të Kamenicës, vazhdon të jetë i hapur edhe sot për të gjithë qytetarët dhe vizitorët e interesuar.
Sipas njoftimit të Komunës, aktiviteti ka mbledhur prodhues dhe biznese lokale, të cilët po prezantojnë produktet e tyre me synim promovimin e prodhimit vendor dhe fuqizimin e ekonomisë lokale.
Komuna bën të ditur se panairi ka zgjuar interesim të madh gjatë dy ditëve të para, ku një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë vizituar stendat dhe janë njohur nga afër me produktet e ofruara nga bizneset vendore.
Bizneset pjesëmarrëse janë vizituar edhe nga drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Edon Dermaku, së bashku me stafin e drejtorisë. Gjatë vizitës, ai ka biseduar me përfaqësuesit e bizneseve, duke vlerësuar angazhimin e tyre në promovimin e produkteve vendore dhe kontributin që japin në zhvillimin ekonomik të Komunës së Kamenicës.
Sipas komunës, panairi po krijon një atmosferë të gjallë në qytet dhe po shërben si një platformë për promovimin e potencialit ekonomik lokal, njëkohësisht duke afruar konsumatorët me prodhuesit vendorë.
Komuna e Kamenicës ka ftuar qytetarët që edhe gjatë ditës së sotme ta vizitojnë panairin dhe të mbështesin bizneset vendore përmes blerjes së produkteve të ekspozuara. /Telegrafi/
