Nga bob-i me shtresa te valët e buta, disa zgjedhje të thjeshta mund t’i ngrenë flokët te rrënjët dhe t’u japin menjëherë më shumë plotësi
Flokët e hollë janë problem për shumë gra, sepse shpesh duken pa jetë, të ngjitur pas kokës dhe pa volumin e dëshiruar. Megjithatë, lajmi i mirë është se për t’i bërë të duken më të dendur dhe më të plotë nuk nevojitet as prerje drastike, as trajtime të shtrenjta.
Mjafton të zgjidhni modelin e duhur dhe të përdorni disa truke të thjeshta që i ngrenë flokët te rrënja dhe u japin më shumë volum.
Me shtresëzim të kujdesshëm, stilim të duhur dhe produkte që nuk i rëndojnë fijet, edhe flokët shumë të hollë mund të duken dukshëm më të dendur.
Bob me shtresa për më shumë volum
Një nga modelet më të mira për flokë të hollë është bob-i me shtresa.
Shtresat e prera në mënyrë të lehtë u japin flokëve lëvizje dhe krijojnë përshtypjen e një mase më të madhe, ndërsa majat pak të kthyera e bëjnë modelin të duket edhe më i plotë.
Ky stil u përshtatet veçanërisht grave me flokë të drejtë ose pak të valëzuar dhe është relativisht i lehtë për mirëmbajtje.
Për më shumë volum, mjafton të aplikoni shkumë volumizuese te rrënjët dhe t’i thani flokët me furçë të rrumbullakët.
Ndarja anash
Ndonjëherë nuk nevojitet fare prerje – mjafton të ndryshoni vijën e ndarjes së flokëve.
Ndërsa ndarja në mes mund ta theksojë edhe më shumë pamjen e flokëve të rrafshët, ndarja anash krijon menjëherë efektin e rrënjëve të ngritura dhe një modeli më voluminoz.
Gjatë tharjes, ngrini fijet nga rrënjët dhe në fund përdorni një sprej për volum që efekti të zgjasë sa më gjatë.
Bisht i ulët ose topuz
Bishti i ulët dhe topuzi i lirshëm mund të duken shumë elegantë, por te flokët e hollë shpesh krijojnë pamje të rrafshët.
Prandaj, para se t’i lidhni, është mirë t’i tupironi lehtë flokët te rrënjët ose të përdorni sprej teksturues.
Disa fije të lira rreth fytyrës do ta zbusin pamjen, do ta bëjnë modelin më modern dhe do të krijojnë përshtypjen e më shumë volumit.
Valë të buta për efekt më të dendur
Valët e buta janë një nga mënyrat më të thjeshta për t’i bërë flokët e hollë të duken më të plotë.
Në vend të kaçurrelave të vogla, zgjidhni valë të lirshme dhe natyrale, të cilat u japin flokëve më shumë lëvizje dhe volum.
Të ashtuquajturat beach waves mund të bëhen me një mashë me diametër më të madh ose me një truk të thjeshtë: thurni flokët lirshëm para gjumit, ndërsa në mëngjes zgjidhini dhe shpërndajini pak me gishta.
Në fund, aplikoni një sprej teksturues që u jep flokëve më shumë plotësi pa i rënduar. /Telegrafi/
