Presidenti amerikan, Donald Trump ka pezulluar sulmet ndaj Iranit për t’i “lënë hapësirë” negociatave, ka deklaruar të dielën ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara.
Pas këtij vendimi, Irani njoftoi se gjithashtu nuk do të kryejë sulme për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara të mos sulmojnë.
“Po lë hapësirë për negociata”, tha ambasadori amerikan Mike Waltz për televizionin Fox News, duke mos dhënë detaje të tjera rreth natyrës së bisedimeve.
Një burim nga Irani deklaroi të dielën se Teherani gjithashtu do të ndalojë sulmet, për aq kohë sa këtë e bën edhe Uashingtoni.
“Qasja e Iranit mbetet ‘sulm për sulm’: nëse sulmet ndalojnë, edhe Irani do të pezullojë operacionet e tij. Ky mesazh tashmë i është përcjellë Shteteve të Bashkuara”, tha burimi për reuters.
Megjithatë, ai shtoi se “ka më shumë skepticizëm sesa optimizëm për një ndërprerje të sulmeve” dhe se “qëndrimi mbizotërues është se bëhet fjalë për një pauzë taktike dhe jo për një ndalim të vërtetë të konfliktit”.
Gjatë fundjavës është shënuar një qetësi relative në përplasjet mes Iranit dhe SHBA-së. Pentagoni ka pezulluar bombardimet pas 13 netësh sulmesh gjithnjë e më intensive, ndërsa në dy ditët e fundit nuk janë raportuar as sulme iraniane ndaj vendeve fqinje. /Telegrafi/
