Legjenda e basketbollit, LeBron James, ka pranuar uljen më të madhe të pagës në historinë e NBA-së, pasi ka nënshkruar me Philadelphia 76ers për pagën minimale prej 3.88 milionë dollarësh për sezonin 2026/27.
41-vjeçari, i cili sezonin e kaluar përfitoi 52.63 milionë dollarë te Los Angeles Lakers, do të ketë një ulje prej rreth 93 për qind të pagës së tij, një rekord i paprecedentë për një superyll të NBA-së.
Kontrata e re është më e ulëta që LeBron ka marrë në gjithë karrierën e tij 24-vjeçare. Madje, edhe në sezonin e tij debutues me Cleveland Cavaliers në vitin 2003, ai fitoi më shumë, rreth 4 milionë dollarë.
Synimi është titulli, jo paratë
LeBron ka zgjedhur të sakrifikojë fitimet për të rritur mundësitë e Philadelphia 76ers për të fituar titullin e NBA-së. Ai synon të fitojë unazën e pestë të kampionit, ndërsa pranoi pagën minimale të lejuar për një basketbollist me përvojën e tij.
Me këtë kontratë, ai do të jetë vetëm lojtari i 298-të më i paguar në NBA sezonin e ardhshëm.
Për krahasim, Stephen Curry do të jetë basketbollisti më i paguar i ligës me 62.5 milionë dollarë, ndërsa te Sixers, Joel Embiid dhe Jaylen Brown do të përfitojnë nga 57.7 milionë dollarë secili.
Ende në nivel të lartë
Pavarësisht moshës, LeBron vazhdon të jetë ndër lojtarët më produktivë të NBA-së. Sezonin e kaluar ai regjistroi mesatarisht: 20.9 pikë, 6.1 ribaunde, 7.2 asistime dhe në mbi 33 minuta për ndeshje.
Statistika të tilla zakonisht u sigurojnë lojtarëve kontrata me vlerë rreth 40 milionë dollarë në sezon, çka e bën marrëveshjen e Sixers një nga më të favorshmet në aspektin sportiv.
Mbi 580 milionë dollarë nga kontratat në NBA
LeBron mund ta përballojë këtë sakrificë financiare, pasi gjatë karrierës së tij ka fituar mbi 580 milionë dollarë vetëm nga kontratat në NBA. Përveç kësaj, ai vazhdon të ketë të ardhura të mëdha nga sponsorët, përfshirë kontratën e përjetshme me Nike.
Pas përfundimit të sezonit të kaluar, veterani pranoi se kishte menduar seriozisht të tërhiqej.
“Kur sezoni përfundoi, isha pothuajse i bindur se kisha luajtur ndeshjen time të fundit. Më duhej të reflektoja nëse ende e doja basketbollin. Në fund kuptova se ende e dua këtë lojë dhe besoj se kam shumë për të dhënë”, deklaroi LeBron.
Kontrata e tij me Philadelphia është dyvjeçare, por sezoni i dytë është opsional, duke lënë të hapur mundësinë që kjo të jetë etapa e fundit e karrierës së njërit prej basketbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. /Telegrafi/
