Mitrovica po vazhdon të shkëlqejë në arenën evropiane. Kampionet e Kosovës kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinalen e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve për femra, pasi mposhtën kampionin e Bullgarisë, Ludogorets Razgrad, me rezultat 2-0.
Ndeshja u zhvillua të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe ishte finalja e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Mitrovica tregoi edhe një herë cilësinë e saj, duke dominuar ndaj kampioneve bullgare dhe duke siguruar një fitore të merituar.
Golat që vulosën kualifikimin u realizuan nga Aurora Mulliqi dhe Gresa Berisha, të cilat i dhanë skuadrës kosovare një tjetër sukses të madh në garat evropiane.
Ky triumf vjen vetëm pak ditë pasi Mitrovica kishte dhuruar spektakël ndaj kampiones së Moldavisë, Zimbru Chisinau, të cilën e mposhti me rezultat të thellë 10-0./Telegrafi/
