Manchester City ka dhënë sinjale se është i gatshëm të ofrojë 100 milionë euro për anësorin e RB Leipzigut, Yan Diomande, raporton gazetari i njohur i transferimeve, Florian Plettenberg.
Deri më tani nuk është dorëzuar asnjë ofertë zyrtare, por sipas Plettenbergut, kontaktet mes dy klubeve tashmë kanë nisur, ndërsa edhe gazetari Philipp Hinze ka konfirmuar se bisedimet janë duke vazhduar.
Interesimi për talentin 19-vjeçar është jashtëzakonisht i madh. Liverpooli dhe Real Madridi kanë paraqitur më herët oferta në vlerë prej rreth 100 milionë eurosh, por të dyja janë refuzuar nga Leipzig, i cili mbetet i vendosur për ta mbajtur futbollistin.
Plettenberg raporton gjithashtu se Paris Saint-Germaini ende nuk ka bërë ofertë zyrtare për Diomanden.
Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë pati një sezon shpërthyes në edicionin 2025/26, duke realizuar 13 gola dhe 10 asistime në 36 paraqitje në të gjitha garat.
Diomande ka kontratë me Leipzigun deri në vitin 2030, çka i jep klubit gjerman një pozicion të fortë në negociata, ndërsa interesimi për sulmuesin vazhdon të rritet nga klubet më të mëdha të Evropës.
Me Manchester Cityn që tashmë po shqyrton një ofertë prej 100 milionë eurosh, gara për shërbimet e talentit afrikan pritet të bëhet edhe më e nxehtë./Telegrafi/
