Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë.
Në njoftim bëhet e ditur se në flagrancë janë arrestuar tre shtetas, E.K., 42 vjeç, A. I., 18 vjeç dhe I. A., 18 vjeç, dy të parët banues në Shkodër, ndërkaq i treti, banues në Londër.
Policia njofton se gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit E. K., i cili ndodhej në ambientet e një lokali në lagjen “Vasil Shanto”, në Shkodër, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, dhe një doze të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.
Gjithashtu, në momentin e kontrollit, së bashku me shtetasin E. K. ndodheshin shtetasit A. I. dhe I. A., të cilët u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. I. u gjet dhe u sekuestrua një cigare me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/
