Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar dy raste të dyshuara të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare të Bërnjakut, gjatë një operacioni të zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Sipas një komunikate të Policisë, gjatë operacionit është lokalizuar një automjet Audi me targa të huaja, i ndaluar dhe pa vozitës, i dyshuar se përdorej për kontrabandë. Gjatë kontrollit të një objekti dhe zonës përreth janë gjetur dhe sekuestruar 5,550 boksa cigare të llojeve të ndryshme, si dhe 19 paketa cigaresh që dyshohet se ishin kontrabanduar.
Lidhur me këtë rast, një person është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Në kuadër të të njëjtit operacion, policia ka ndaluar edhe një kamion me targa të huaja që transportonte materiale metalike, për të cilat drejtuesi nuk posedonte dokumentacionin përkatës.
Sipas Policisë, Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallrat dhe dy automjetet për procedura të mëtejshme, ndërsa me autorizim të Prokurorit të Shtetit rasti i është kaluar për trajtim Doganës së Kosovës.
