Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Vragoli.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti, e cila ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:00.
“Sot, më datën 24.07.2026, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Vragoli, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ku një veturë me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar ka goditur një person, këmbësor të gjinisë mashkullore”, deklaroi Mehmeti për Telegrafin.
Sipas saj, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konstatuar vdekjen e këmbësorit.
“Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante, përfshirë ato mjekësore, të cilat kanë konfirmuar vdekjen e viktimës”, tha ajo.
Mehmeti bëri të ditur se nga aksidenti kanë pësuar lëndime edhe drejtuesi i automjetit dhe një pasagjer.
“Si pasojë e aksidentit, lëndime po ashtu kanë marrë i dyshuari, vozitësi i veturës, si dhe një pasagjer”, deklaroi zëdhënësja e Policisë.
Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa njësitet përkatëse policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
“Trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, ka bërë të ditur Mehmeti. /Telegrafi/
