Amal Clooney vazhdon të jetë një nga figurat më elegante dhe të admiruara në arenën ndërkombëtare, ndërsa së fundmi ka tërhequr vëmendje edhe për stilin e saj të jetesës.
Avokatja e njohur e të drejtave të njeriut, 48 vjeçe, thuhet se ndjek një regjim të thjeshtë ushqimor dhe fitnesi, të përshtatur me ritmin e ngarkuar të jetës së saj si profesioniste dhe nënë e dy fëmijëve.
Sipas raportimeve, Amal e nis ditën me një tas miyeokguk, një supë tradicionale koreane me alga deti, vaj susami dhe hudhër, shkruan DailyMail.
Për drekë, ajo preferon vakte të pasura me proteina të ligëta, ndërsa ushqimet në familjen Clooney përgatiten nga kuzhinierja e tyre private, Viviana Frizzi.
Në darkë, çifti nuk i thotë jo edhe ndonjë kënaqësie, si nata javore e picës, ku e preferuara e Amal është margarita me sallatë rukola.
Edhe aktiviteti fizik është pjesë e pandashme e rutinës së saj. Amal thuhet se luan rregullisht tenis, bën shëtitje njëorëshe, ushtrime me pesha për rreth 20 minuta dhe Pilates.
Madje, George Clooney ka pranuar më parë me humor se bashkëshortja e tij e mposht vazhdimisht në tenis, pavarësisht përvojës së tij në këtë sport.
Së fundmi, Amal ka folur edhe për ndikimin që fama pati në jetën e saj pas martesës me George Clooney në vitin 2014.
Ajo ka treguar se fillimisht ndihej në siklet nga vëmendja publike dhe shqetësohej se mos perceptohej vetëm për jetën private, por me kalimin e kohës kuptoi se puna dhe profesionalizmi i saj flasin më shumë se çdo paragjykim. /Telegrafi/
