Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit e paralajmëroi Bullgarinë që të mos lejojë SHBA-të të përdorin territorin e vendit evropian për operacione ushtarake kundër Iranit.
Esmail Baghaei, tha se çdo aktivitet që lehtëson sulmet e SHBA-së ndaj Iranit do të përbënte bashkëpunim në atë që ai e përshkroi si “agresion dhe krime lufte”, sipas medias shtetërore iraniane të cituara nga Reuters.
Paralajmërimi vjen pas lajmit nga qeveria bullgare se do të kërkojë miratimin parlamentar për të stacionuar deri në tetë aeroplanë cisternë amerikanë në një bazë ajrore në Bullgari, një vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Aeroplanët cisternë përdoren kryesisht për furnizimin ajror me karburant të aeroplanëve të tjerë, përfshirë gjatë sulmeve.
Raportohet se qeveria e Bullgarisë synon të stacionojë aeroplanët amerikanë në objektin ushtarak Bezmer, rreth 257 km në juglindje të kryeqytetit Sofje.
SHBA-të dhe Irani kanë intensifikuar sulmet që kur një marrëveshje e përkohshme armëpushimi e nënshkruar një muaj më parë nuk zgjati, duke rritur mundësinë e një kthimi në luftë të plotë. /Telegrafi/
