Ndihmëstrajneri i Argjentinës, Roberto Ayala, ka reaguar për herë të parë pasi u kap nga kamerat duke shtyrë futbollistin e Spanjës, Dani Olmo, pas finales së Kupës së Botës 2026.
Spanja triumfoi 1-0 ndaj Argjentinës pas vazhdimeve falë golit të Ferran Torresit, duke fituar titullin e dytë kampion bote në histori.
Humbja nuk u përball mirë nga argjentinasit, të cilët e mbyllën ndeshjen me një lojtar më pak pas përjashtimit të Enzo Fernandez me karton të kuq. Pas vërshëllimës së fundit, në fushë shpërthyen tensione dhe përplasje mes futbollistëve të të dyja skuadrave.
Kamerat kapën fillimisht mbrojtësin Nahuel Molina duke reaguar ashpër ndaj lojtarëve spanjollë, ndërsa Leandro Paredes u pa duke e kapur për fyti Eric Garcian dhe më pas duke rrëzuar Gavin në tokë.
Megjithatë, momenti që shkaktoi më shumë habi ishte ai kur Roberto Ayala u pa duke vendosur duart mbi mesfushorin e Barcelonës, Dani Olmo.
Pas disa ditësh heshtjeje, ish-mbrojtësi i Milanit dhe Valencias ka kërkuar falje publike për sjelljen e tij, megjithëse ka mohuar se e ka goditur me grusht futbollistin spanjoll.
“Natyrisht që më vjen keq. Për shkak të rolit që kam, nuk duhet të lejoj që emocionet apo ajo që mund të dëgjoj nga pala tjetër të ndikojnë në reagimin tim. Më vjen keq, por për mua këto janë gjëra që duhet të mbeten aty”, deklaroi Ayala për Esports Migdia.
Ai këmbënguli se nuk kishte pasur një goditje fizike ndaj Olmos.
“Ishte më shumë një shtyrje sesa diçka tjetër. Nuk ishte grusht, siç po thuhet. Ishte një reagim ndaj diçkaje që ai tha, por kaq”.
Ayala shtoi se, nëse do ta takojë Dani Olmon, do t’i kërkojë falje personalisht.
“Unë marr përgjegjësinë për atë që bëra. Synimi im ishte të shkoja për t’i ndarë, ky ishte qëllimi im. Por ndonjëherë emocionet marrin kontrollin dhe ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhin. Kjo nuk është një justifikim”, përfundoi ai./Telegrafi/
