William Shatner dhe vajza e tij më e vogël, Melanie, u ballafaquan njëkohësisht me kancerin në stadin e katërt, siç ka zbuluar legjenda e Star Trek në një intervistë prekëse.
Aktori 95-vjeçar, i cili në vitin 2024 zbuloi se kishte qenë më parë i diagnostikuar me melanomë në stadin e katërt, luftoi për jetën e tij, ndërsa Melanie, 61 vjeçe, po trajtohej për kancer të gjirit HER2-pozitiv, i cili ishte përhapur në nyjet limfatike në kraharor.
Në një intervistë për revistën People, Melanie tregoi se forca që tregoi i ati gjatë betejës së tij me sëmundjen e ndihmoi të përballonte kimioterapinë tre vjet më parë.
Ajo rrëfeu:
“Po kaloja një moment shumë të vështirë dhe isha në gjendje histerike. Të telefonova dhe të thashë: ‘Mendoj se po vdes.’ “
Sipas saj, i ati mbërriti menjëherë në shtëpinë e saj dhe i dha atë që ajo e quan ende edhe sot “përqafimi i ariut nga babai”. Ai i tha:
“Ky do të jetë vetëm një episod i vogël në jetën tënde. Do ta kalosh dhe një ditë do të mbetet vetëm një kujtim.”
Në qershor të vitit 2023, ylli i Captain Kirk u diagnostikua me melanomë malinje në stadin e katërt, e cila ishte përhapur në mushkëri dhe tru.
Melanie, vajza e Shatner dhe ish-bashkëshortes së tij të ndjerë, Gloria Rand, kujton:
“Më kujtohet qartë që mendoja: ‘Nuk kam forcë të kujdesem për veten dhe, në të njëjtën kohë, të humbas edhe babanë tim.’ “
Megjithatë, Shatner mbeti i palëkundur dhe vazhdimisht thoshte se “universi po kujdeset për mua”.
Melanie e zbuloi për herë të parë një kokërr në gji në korrik të vitit 2022, të cilën fillimisht e kishte ngatërruar me një pickim insekti.
Analizat konfirmuan më vonë se ajo kishte kancer të gjirit, i cili tashmë ishte përhapur. Lajmi e la të shqetësuar jo vetëm për të ardhmen e familjes së saj, por edhe për kostot e larta të trajtimit.
Ajo zbuloi se babai i saj i kishte thënë:
“Nuk dua që të shqetësohesh. M’i dërgo mua të gjitha faturat.”
Më pas, ai arriti ta bënte të qeshte edhe gjatë trajtimit. Melanie kujton me humor fjalët e tij:
“Duhet të shërohesh sa më shpejt. Do të na çosh në falimentim!”
