Hulumtuesi i Institutit “Octopus”, Gurakuq Kuçi, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, duke e akuzuar atë se me retorikë nxitëse po përpiqet ta paraqesë zbatimin e ligjit në Kosovë si “spastrim etnik”.
Sipas Kuçit, deklarata e Simiqit, i cili në një intervistë për median serbe Pink tha se “qëllimi është që Serbia me çdo kusht të tërhiqet në ndonjë konflikt”, është dhënë në një kohë kur institucionet e Kosovës po zbatojnë një vendim administrativ për rrënimin e 11 objekteve pa leje pranë liqenit të Ujmanit.
“Një deklaratë e tillë nuk lëshohet pas ndonjë përplasjeje të madhe apo kërcënimi ushtarak, por në një rast ku po zbatohet një vendim administrativ”, ka theksuar Kuçi.
Ai e ka lidhur këtë retorikë edhe me deklaratat e fundit të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Sipas Kuçit, reagimi i kryeministrit serb Gjuro Macut nuk ishte dënim i idesë së spastrimit etnik, por vetëm një distancim nga mënyra se si ishte shprehur deklarata.
“Problemi për të nuk ishte përmbajtja e deklaratës, por fakti që ajo mund të paraqitej si politikë zyrtare”, ka shkruar ai.
Kuçi rikujton se edhe në zona të tjera të Kosovës, si Batllava, Prevalla, Sibovci dhe Rugova, institucionet kanë ndërmarrë masa për ndalimin ose rrënimin e ndërtimeve pa leje, duke shkaktuar pakënaqësi dhe protesta të banorëve, por, sipas tij, askush nuk i ka cilësuar ato si “spastrim etnik”.
Ai vlerëson se Serbia po përpiqet t’i etnizojë veprimet ligjore të institucioneve të Kosovës dhe se rrënimi i objekteve pa leje pranë Ujmanit po përdoret për të ndërtuar një narrativë që, sipas tij, synon të krijojë tensione.
Në reagimin e tij, Kuçi shprehet se Beogradi po ndjek një strategji që synon realizimin e objektivave përmes luftës hibride, sulmeve terroriste ose, siç e quan ai, “ndryshimit të rrethanave gjeopolitike”.
Në fund, ai kritikon edhe qasjen e stabilokracisë ndaj Serbisë, duke pretenduar se ajo po kontribuon në forcimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, njësoj siç, sipas tij, ka ndodhur më parë me regjime të tjera autoritare.
