Kongresmeni amerikan Joe Wilson ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Wilson i cilësoi këto deklarata si “të neveritshme dhe inflamatore”, duke theksuar se ato janë arsyeja pse Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE PA) nuk duhet ta marrë në konsideratë kandidaturën e Beogradit për të pritur takimin vjetor të organizatës në vitin 2027.
“Pikërisht për këtë arsye, OSBE PA nuk duhet ta marrë në konsideratë ofertën e Beogradit për të pritur takimin vjetor të vitit 2027”, ka shkruar Wilson.
Sipas kongresmenit amerikan, OSBE-ja është krijuar për të ndërtuar konsensus dhe për të forcuar bashkëpunimin në Evropë, e jo për të rindezur tensionet etnike.
“OSBE-ja është krijuar për të ndërtuar konsensus në Evropë, jo për të rindezur tensionet etnike”, ka deklaruar ai.
Paunoviq – nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Millosheviqit – nuk i tërhoqi fjalët e saj, por tha më 16 korrik se ato “janë nxjerrë jashtë kontekstit” dhe i kërkoi falje Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë për reagimet që ka shkaktuar.
Deklaratat e saj prekin plagë të vjetra në Kosovë, pasi qindra mijëra civilë shqiptarë u dëbuan nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Ajo luftë ua mori jetën mbi 13.000 civilëve, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të zhdukur.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në vitin 1999.
Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.
I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.
Deklaratën e Paunoviqit e kanë dënuar brenda dhe jashtë Kosovës./Telegrafi.
