Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar përvjetorin e opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetit dhe një pikë referimi në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare.
Në një reagim publik, Kurti tha se opinioni i GJND-së i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës.
“Duke konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, GJND-ja i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë dhe mëvetësisë sonë”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, ky opinion riafirmoi një parim me rëndësi universale, duke theksuar se e drejta ndërkombëtare duhet të jetë në shërbim të paqes, lirisë dhe vetëvendosjes demokratike.
“E drejta ndërkombëtare nuk ekziston për të ruajtur padrejtësinë apo për ta bërë historinë të pakthyeshme, por për të krijuar hapësirë që paqja, liria dhe vetëvendosja demokratike të gjejnë shprehje brenda rendit juridik ndërkombëtar. Kur e drejta interpretohet me integritet, ajo nuk bëhet pengesë për lirinë, por garanci e saj”, u shpreh ai.
Kurti vlerësoi se opinioni këshillues forcoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe sqaroi se e drejta ndërkombëtare nuk i ndalon deklaratat e pavarësisë.
“Për Kosovën, ky ishte një moment që forcoi themelet e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Për bashkësinë ndërkombëtare, ishte një sqarim i rëndësishëm se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë dhe se secili rast duhet të vlerësohet mbi faktet dhe normat që e karakterizojnë”, tha Kurti.
Ai shtoi se trashëgimia e këtij opinioni duhet të mbrohet përmes forcimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit.
“Mbrojtja më e mirë e kësaj trashëgimie nuk është vetëm ta kujtojmë atë, por ta justifikojmë çdo ditë: me institucione demokratike, me sundim të ligjit dhe me një Republikë që e forcon legjitimitetin e saj përmes punës, zhvillimit dhe përgjegjësisë”, deklaroi Kurti.
Në fund të reagimit, kryeministri kujtoi se opinioni këshillues u shpall nga kryetari i atëhershëm i GJND-së, profesori Hisashi Owada, i cili vitin e kaluar u nderua nga Universiteti i Prishtinës me titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e tij në të drejtën ndërkombëtare dhe promovimin e paqes globale. /Telegrafi/
