Punëtorët e Operativës së Komunës së Obiliqit kanë nisur punën që në orët e para të mëngjesit për largimin e degëve të thyera nga erërat e forta, me qëllim rikthimin e sigurisë në rrugët e qytetit.
Sipas njoftimit të komunës, intervenimet kanë filluar në rrugën “Hasan Prishtina”, ku si pasojë e motit të pafavorshëm janë rrëzuar degë pemësh që paraqisnin rrezik për këmbësorët dhe pjesëmarrësit në trafik.
Ekipet e Operativës NPL “Kastrioti”, po punojnë në pastrimin e rrugës dhe largimin e pengesave, me qëllim normalizimin e qarkullimit dhe eliminimin e rreziqeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme.
Nga Komuna e Obiliqit është bërë e ditur se ndërhyrjet do të vazhdojnë edhe në zona të tjera të prekura, nëse paraqitet nevoja, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të infrastrukturës rrugore. /Telegrafi/
