Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 16 vendpunishte në komunat Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, kontrollet janë zhvilluar në kuadër të inspektimeve të rregullta për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe masave të sigurisë në vendin e punës.
Gjatë inspektimeve janë evidentuar parregullsi që, sipas autoriteteve, paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në të gjitha 16 vendpunishtet, derisa të eliminohen të gjitha shkeljet e konstatuara dhe të krijohen kushte të sigurta për zhvillimin e punës.
Sipas njoftimit, rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të verifikojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë në punë.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Kosovës, duke theksuar se nuk do të tolerojë asnjë shkelje që rrezikon jetën dhe shëndetin e punëtorëve./Telegrafi.
