Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni ka njoftuar se është përfunduar shtrimi i shtresës së parë të asfaltit në fshatin Kufcë, duke e cilësuar këtë si përmbushje të zotimit të dhënë për banorët e kësaj zone.
Sipas Hysenit, punimet janë realizuar sipas planifikimit, ndërsa fazat e tjera të projektit do të vazhdojnë menjëherë pas përfundimit të sezonit të pushimeve verore.
Ai theksoi se vendimi për ndërprerjen e përkohshme të punimeve është marrë për të shmangur ngarkesën në komunikacion dhe për t’u mundësuar banorëve dhe bashkatdhetarëve nga diaspora një qarkullim më të lehtë gjatë muajve të verës.
Pas sezonit të pushimeve, projekti do të hyjë në fazën përfundimtare, e cila përfshin shtrimin e shtresës së dytë të asfaltit, vendosjen e ndriçimit publik dhe sinjalizimit rrugor.
Kryetari Hyseni ka theksuar se investimi synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në qarkullim, duke ofruar kushte më të mira për banorët e fshatit Kufcë. /Telegrafi/
