Një shtyllë e rrjetit elektrik është rrëzuar si pasojë e stuhive dhe erërave të forta që kanë përfshirë sot edhe zonën e Vërbanit në Gjilan.
Sipas njoftimit për banorët, shtylla elektrike ka rënë në oborrin e xhamisë së fshatit, duke paraqitur rrezik për qytetarët që kalojnë në atë zonë.
Banorëve u është bërë thirrje që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në rrugën pranë xhamisë dhe të mos afrohen te shtylla apo kabllot elektrike të rrëzuara, deri në ndërhyrjen e ekipeve përgjegjëse.
“Ju lutemi të shmangni kalimin në afërsi të vendit deri sa ekipet kompetente të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të eliminojnë rrezikun”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga banorët, me qëllim shmangien e ndonjë incidenti të mundshëm deri në sanimin e situatës. /Telegrafi/
