Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë dhe deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, Taulant Kelmendi, ka reaguar ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në kohën kur banorët po protestojnë për situatën e krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Sferkë.
Përmes një postimi në Facebook, Kelmendi ka kritikuar Muhaxherin, duke thënë se ai nuk po qëndron pranë qytetarëve në një situatë që, sipas tij, ka prekur banorët e zonës.
“Derisa banorët po protestojnë për zjarrin në Deponinë e Sferkës, Gazmend Muhaxheri e ka hallin tjetërkund. Në vend që të jetë në Pejë, pranë qytetarëve që po përballen me pasojat e tymit dhe kësaj situate, ai po merret me skena prapa shpine dhe me pazare politike me partnerët e koalicionit të tij në Pejë (PDK-në), për ta goditur kryetarin e LDK-së”, ka shkruar Kelmendi.
Ai ka ngritur kritika edhe për mënyrën e menaxhimit të mbeturinave në qytet, duke përmendur përgjegjësinë e pushtetit lokal gjatë viteve të fundit.
“Për 13 vjet ka qenë në krye të qytetit tonë. Kompania për menaxhimin e mbeturinave “Ambienti” menaxhohet nga LDK-ja dhe PDK-ja. Berllog gjithandej. Tash edhe zjarr e tym. E Gazi, si zakonisht, struket, viktimizohet dhe gjen fajtorë të tjerë”, ka deklaruar ai.
Në fund të reagimit, Kelmendi i ka bërë thirrje Muhaxherit që të rikthehet në Pejë dhe të angazhohet për situatën e krijuar.
“Kthehu në Pejë. Na telefono dhe na u drejto për çkado që vlerëson se duhet të bëjmë për t’i ndihmuar banorët e Sferkës dhe rrethinës. Lëre mllefin!”, ka shkruar Kelmendi. /Telegrafi/
