Gjykata e Shkodrës ka caktuar këtë të hënë, 20 korrik, masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për A.F, 18 vjeç, A.M, 41 vjeç, babë e bir, si dhe për A.K, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 16 korrik në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës.
Ata u arrestuan si të dyshuar për plagosjen e 31-vjeçarit V.K, ndërsa A.K, vëllai i të plagosurit, u arrestua pasi u kap në posedim të një arme zjarri pistoletë.
Gjatë seancës gjyqësore, babë e bir deklaruan se konflikti kishte nisur pas një përplasjeje të çastit. Mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke argumentuar se nuk kishte kushte për lënien e tyre në paraburgim.
Pasi shqyrtoi provat e paraqitura nga Prokuroria dhe dëgjoi pretendimet e mbrojtjes, gjyqtarja Arta Llazari vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për të tre personat. /Klan.tv/
