Mesfushori i talentuar Erblin Osmani është pajtuar me kushtet e Bayern Munichut dhe ditëve në vijim do ta nënshkruajë kontratën e parë profesionale.
Osmani që vizitoi edhe Kombëtaren e Kosovës muajt e fundit do të hedh firmën në një kontratë trevjeçare.
Sipas asaj që raporton “SkySport”, 17-vjeçari do të luajë shumicën e kohës për ekipin U19 në sezonin e ardhshëm, megjithatë do të stërvitet rregullisht me ekipin e parë.
Bayerni ia ka bërë të qartë se e ka për planet e të ardhmes kësisoj edhe përzgjedhësi Vincente Kompany pritet t’i jep minutazhë në ndonjë sfidë të Bundesligas, ose së paku në Kupën e Gjermanisë.
Përndryshe, ka shpresë që Osmanin ta shohim edhe në fanellën e Kosovës, duke qenë një nga lojtarët kryesorë që FFK-ja po tenton ta afrojë brenda një të ardhme të afërt./Telegrafi/
