Një eksperiencë e pazakontë e turistes, Kennie Anne Alindogan, në Shkup, është bërë virale në rrjetet sociale, pasi ajo përfundoi rastësisht pjesë e kolonës së automjeteve të një dasme shqiptare.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, turistja tregoi se vetëm pak minuta pasi zbriti nga autobusi, u gjend mes atmosferës festive të një dasme shqiptare.
“Zbrita nga autobusi në Maqedoninë e Veriut… dhe pesë minuta më vonë, pa e kuptuar, u bëra pjesë e kolonës së automjeteve të një dasme shqiptare”, ka shkruar ajo në postimin e saj.
Turistja tregoi se nuk njihte askënd nga të pranishmit, por vendosi të pranonte ftesën për t’iu bashkuar festës.
Ajo shkroi: “Nuk e kisha fare idenë se kush ishin ata njerëz, por kur më thanë të hipja në makinë, mendimi im i vetëm ishte: ‘Epo… ose kjo do të jetë fillimi i një historie fantastike, ose i një dokumentari të Netflix-it’”.
Në fund, ajo tha se përjetoi një kujtim të paharrueshëm dhe shprehu vlerësimin për mikpritjen shqiptare.
“Fatmirësisht, doli të ishte e para. Shqiptarët janë shumë të mrekullueshëm! Ju dua shumë”, tha ajo.
Përmes postimit, Alindogan u bëri thirrje edhe ndjekësve të saj që ta ndihmojnë të gjejë dy shqiptarët që e ftuan në kolonën e automjeteve të dasmës.
“Internet, bëje magjinë tënde dhe më ndihmo t’i gjej këta dy shqiptarë. Dua t’i falënderoj siç duhet për këtë kujtim kaq të bukur!”, u shpreh ajo. /Telegrafi/
