Aktori i njohur amerikan Matt Damon është bërë i njohur për rolet e personazheve që luftojnë me çdo kusht për t’u rikthyer në shtëpi, nga filmat “Saving Private Ryan” dhe “Interstellar”, e deri te projekti më i ri i Christopher Nolan, “The Odyssey”.
Por kjo tematikë nuk është aspak rastësi. Edhe në jetën reale, 55-vjeçari e vendos familjen në qendër të gjithçkaje dhe prej dy dekadash ndjek një rregull të pandryshueshëm.
Pas përfundimit të angazhimeve për promovimin e filmit “The Odyssey”, Damon është rikthyer te ajo që e konsideron më të rëndësishmen: rituali i përditshëm familjar që e ndan me bashkëshorten dhe vajzat e tij.
Në një intervistë për revistën People, aktori zbuloi se prej 20 vitesh martesë me bashkëshorten Luciana, çdo mbrëmje ulen së bashku për darkë.
“Çdo mbrëmje hamë darkë së bashku si familje. Për këtë nuk ka negociata, kështu ka qenë gjithmonë”, u shpreh Damon.
Matt dhe Luciana u martuan në vitin 2005 dhe kanë tre vajza: Isabella (20), Gia (17) dhe Stella (15). Aktori ka pranuar si vajzën e tij edhe Alexian, vajzën e Lucianës nga një lidhje e mëparshme, e cila sot është 27 vjeçe. Çifti u njoh në vitin 2002 në një lokal në Miami.
Megjithatë, Damon pranoi se edhe traditat familjare mund të humbin kuptimin nëse kthehen thjesht në rutinë.
“Njëra nga vajzat na tha: ‘Në darkën e mbrëmshme nuk folëm fare me njëri-tjetrin’. E kuptuam se kishte të drejtë. Ndonjëherë ulesh në tavolinë dhe gjithçka bëhet rutinë, duke harruar pse e vendose atë zakon në radhë të parë”, tha ai.
Aktori shtoi se e gjithë familja përpiqet të jetë më e vetëdijshme për rëndësinë e atyre momenteve të përbashkëta dhe të mos i marrë ato si të mirëqena.
Përkushtimi i Matt Damon ndaj familjes pasqyrohet edhe në një tatuazh në krahun e djathtë, ku ai mban të gdhendur emrat e të katër vajzave të tij. /Telegrafi/
