Bordi Drejtues i Forumit Ekonomik Mbarëshqiptar (FEMSH), në mbledhjen e mbajtur më 12 korrik 2026 në Rugovë, shqyrtoi zhvillimet ekonomike në rajon, politikat zhvillimore, projektet strategjike dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve publike dhe komunitetit të biznesit.
FEMSH vlerëson se hapësira ekonomike mbarëshqiptare vazhdon të funksionojë nën potencialin e saj. Megjithëse janë nënshkruar marrëveshje të shumta bashkëpunimi, zbatimi i tyre mbetet i pamjaftueshëm. Barrierat administrative, procedurat burokratike, interpretimet e ndryshme ligjore dhe mungesa e koordinimit institucional pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe fuqisë punëtore, duke krijuar kosto shtesë, pasiguri juridike dhe humbje të mundësive zhvillimore.
Komuniteti i biznesit vazhdon të përballet me problematika të pazgjidhura, ndërsa konsultimet sporadike nuk kanë prodhuar rezultatet e nevojshme. Sektori privat është gjeneratori kryesor i investimeve, punësimit dhe inovacionit dhe duhet të trajtohet si partner strategjik në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike. Biznesi nuk kërkon privilegje, por siguri juridike, rregulla të qëndrueshme, konkurrencë të ndershme dhe zbatim të barabartë të ligjit.
Për këtë arsye, FEMSH kërkon institucionalizimin e dialogut ndërmjet qeverive dhe sektorit privat përmes tavolinave të rregullta të konsultimit, të cilat do të monitorojnë zbatimin e marrëveshjeve, do të identifikojnë barrierat administrative e tregtare dhe do të propozojnë zgjidhje të përbashkëta përpara se ato të prodhojnë pasoja për ekonominë dhe tregtinë.
FEMSH thekson se sfidat e biznesit kanë karakter rajonal dhe kërkojnë koordinim më të mirë të politikave ekonomike, fiskale, doganore dhe rregullatore. Partneriteti ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat është po ashtu thelbësor për identifikimin dhe realizimin e projekteve zhvillimore, si edhe për shfrytëzimin më efikas të fondeve të Bashkimit Evropian.
Në këtë kuadër, Forumi rithekson rëndësinë e përfundimit të Korridorit VIII me kalimin përmes Strugës, lidhjes së Kosovës me rrjetin rajonal të gazit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvillimit të infrastrukturës së përbashkët rrugore, hekurudhore, energjetike dhe digjitale, si dhe avancimit të pikës kufitare në Mutivodë drejt Medvegjës, në pikë kalimi edhe për mallra. Këto projekte janë me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike, uljen e kostove të transportit, rritjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
FEMSH beson se integrimi ekonomik rajonal duhet të mbështetet në harmonizimin gradual të legjislacionit, njohjen reciproke të dokumenteve, licencave dhe standardeve, lehtësimin e procedurave doganore, koordinimin e politikave ekonomike dhe krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë të kapitalit, investimeve dhe fuqisë punëtore.
Në përfundim, FEMSH u bën thirrje qeverive të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe institucioneve të tjera relevante të kalojnë nga marrëveshjet në zbatim, nga konsultimet formale në partneritet të institucionalizuar dhe nga angazhimet politike në rezultate konkrete. Forumi riafirmon gatishmërinë për të qenë partner profesional, i pavarur dhe konstruktiv në hartimin e politikave ekonomike, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e një Hapësire të Përbashkët Ekonomike Rajonale më konkurruese dhe më tërheqëse për investime.
