Diagnostikimi i hershëm, kontrollet e rregullta të syve dhe zhvillimet teknologjike në kirurgjinë okulare kanë ndryshuar ndjeshëm mënyrën e trajtimit të shumë sëmundjeve të syrit.
Megjithatë, sipas oftalmologut Naser Salihu, as teknologjia më moderne nuk mund të zëvendësojë rëndësinë e kontrolleve në kohë dhe kujdesit të vazhdueshëm për shikimin.
Në episodin radhës të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të përkrahur nga United Hospital, Salihu foli për sfidat e profesionit, sëmundjet më të shpeshta të syrit, kirurgjinë moderne, si dhe për rëndësinë e edukimit të qytetarëve për shëndetin e syve.
– YouTube www.youtube.com
Ai theksoi se shumë sëmundje të syrit mund të trajtohen me sukses nëse zbulohen në fazat e hershme, ndërsa vonesa në diagnostikim mund të sjellë dëmtime të pakthyeshme të shikimit.
“Diagnostikimi i hershëm është faktori më i rëndësishëm për ruajtjen e shikimit. Sa më herët të zbulohet problemi, aq më të mëdha janë mundësitë për trajtim të suksesshëm”, u shpreh Salihu.
Duke folur për kirurgjinë okulare, ai tha se përparimet teknologjike kanë bërë që ndërhyrjet të jenë shumë më të sigurta, më të sakta dhe me rikuperim të shpejtë për pacientët.
“Kirurgjia e syrit ka avancuar jashtëzakonisht shumë. Sot realizohen ndërhyrje me teknologji moderne, me prerje minimale dhe me rezultate shumë të mira për pacientët”, tha ai.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua edhe shikimit te fëmijët. Salihu apeloi që prindërit të mos presin derisa fëmija të ankohet për probleme me shikimin, pasi shumë çrregullime nuk shfaqin simptoma të dukshme.
“Fëmija nuk e kupton gjithmonë që nuk sheh mirë. Prandaj kontrollet okulistike duhet të bëhen në kohë, sepse disa probleme, si syri dembel, mund të trajtohen me sukses vetëm nëse zbulohen herët”, theksoi ai.
Oftalmologu foli edhe për sëmundjet më të shpeshta të syrit, si katarakta dhe glaukoma, duke nënvizuar se kjo e fundit mund të përparojë pa simptoma dhe të shkaktojë humbje të përhershme të shikimit nëse nuk diagnostikohet me kohë.
Me ardhjen e sezonit veror, Salihu dha edhe këshilla praktike për mbrojtjen e syve nga rrezet ultraviolete, uji i detit dhe klori në pishina. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com
